Polica ka dhënë detaje në lidhje me rastin e pronës në Veternik, e ku janë arrestuar dy persona, njëri nga shtetas i Serbisë.
Gjatë kontrollit janë gjetur para të gatshme në vlerë rreth 20 mijë euro dhe dokumente të ndryshme, katër telefona dhe një veturë e cila kap vlerën e rreth 50 deri 60 mijë euro.
“Prishtinë 03.11.2025, NN. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj njëri kosovar, ndërsa tjetri shtetas i Serbisë dhe gjatë kontrollit te të njëjtit janë gjetur dhe sekuestruar para të gatshme në vlerë rreth 20 mijë euro, dokumente të ndryshme, katër telefona celularë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, njofton Policia në raportin 24 orësh.
Ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë një ditë më parë njoftoi për aksionin.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik, se pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë personat me inicialet M.M dhe Z.J. Të njëjtit, dyshohen se në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, kanë kryer veprat penale: “Mashtrimi” nga neni 323 i KPRK-së, “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 390 i KPRK-së, dhe “Legalizim i përmbajtës së rreme” nga neni 395 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Rasti ka të bëjë me vepra penale që ndërlidhen me pronën e paluajtshme e cila gjendet në Veternik, me sipërfaqe prej 56 ari. Në kuadër të veprimeve hetimore të ndërmarra në këtë çështje, nga personat e dyshuar janë sekuestruar këto prova materiale: një (1) veturë në vlerë prej 50,000 deri në 60,000 euro; para në shumën prej 20,000.00 (njëzet mijë) euro; dokumente të ndryshme pronësore, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara; si dhe katër (4) telefona celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale në procedurën e mëtejshme hetimore. Prokuroria Themelore në Prishtinë, ndaj të dyshuarve do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet lidhur me këtë çështje penale do të vazhdojnë në koordinim me Policinë e Kosovës”, u tha në njoftimin e Prokurisë të mërkuren.