Deputetët anëtarë të Komisionit për Integrime Evropiane kanë miratuar dy marrëveshjet me Bashkimin Evropian, raporton Ekonomia Online.
Bëhet fjalë për Projektligjit nr.10/L-010 për ratifikimin e ”Amendamentit nr.2 të marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2017, pjesa e parë” dhe Shqyrtimi i Pojektligjit nr.10/L-009 për ratifikimin e Amendamentit ”nr.3 të marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2018”.
Kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se është bërë fjalë për zgjatjen e zbatimit të marrëveshjes për pesë vite që e ka dërgu qeveria por edhe propozimin e komisionit për amendamentin për harmonizim gjuhësor.
“Ne si komision përgjegjës jemi të ngarkuar për shqyrtimin e këtij projektligji për amendamentimin e Marrëveshjes së IPA 2017, e cila ka për qëllim shtyrjen e afatit për zbatimin e marrëveshjes për të siguruar kryerjen e suksesshme të projekteve të kontraktuara nga Bashkimi Evropian, që janë ballafaquar me vonesa gjatë fazës së implementimit të tyre. Konkretisht, amendamenti ka të bëjë me zgjatjen e datës së përfundimit të periudhës së zbatimit, si dhe datën e përfundimit të periudhës së ekzekutimit për pesë vite. Lidhur me këtë projektligj, stafi i komisionit ka propozuar një amendament nga ana jonë si komision dhe ka të bëjë me harmonizime gjuhësore, sepse në projektligjin që e ka sjellë qeveria është harruar një fjalë dhe ky amendament ka të bëjë me zëvendësim, pjesa e parë. Përndryshe, propozimi është që të votojmë amendamentin që ka sjellë qeveria, që ka të bëjë me zgjatjen e afatit për pesë vite, dhe amendamentin e komisionit për harmonizim gjuhësor”, shpjegoi Bajrami.
Pa asnjë një diskutim, është miratuar edhe shtyrja e afatit për marrëveshjen mes Kosovës dhe BE-së ne lidhje me IPA 2018.
“Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikim të amendamentit numër tre të marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për IPA 2018. Edhe ky projektligj është ndryshim i ligjit që ka për qëllim shtyrjen e afatit për zbatimin e marrëveshjes për me siguru zbatimin e suksesshëm të projekteve të kontraktuara nga Bashkimi Evropian, që janë ballafaquar me vonesa gjatë zbatimit të tyre. Ky ndryshim synon të zgjasë periudhën e përfundimit dhe zbatimit operacional për tre vite dhe periudhën e ekzekutimit për katër vite”, ka sqaruar Bajrami.
Në fund Komisioni ka mbetur që të caktojnë afatet për planin e punës një vjeçare.

