Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar për ndarjen nga jeta të aktivistit të çështjes kombëtare, Mentor Kaçi, duke e vlerësuar atë si një ndër intelektualët e hershëm që kontribuoi në organizimin e rezistencës kundër regjimit jugosllav.
Përmes një postimi, Haradinaj theksoi se Kaçi i përkiste një brezi që ishte në ballë të angazhimeve politike për çështjen kombëtare.
“Paska ndërruar jetë aktivisti i çështjes kombëtare, Mentor Kaçi. Një jetë e tërë në shërbim të atdheut, ai i takon gjeneratës së hershme të intelektualëve shqiptarë që ishin në ballë të aktiviteteve politike dhe organizimit të rezistencës kundër regjimit jugosllav”, ka shkruar Haradinaj.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe bashkëveprimtarëve të të ndjerit.
“Ngushëllime të sinqerta familjes Kaçi, miqve dhe bashkëveprimtarëve. Mentori, u prehtë në paqe!”, ka shtuar Haradinaj.