Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, ka deklaruar se presidentja Vjosa Osmani i ka thënë atij se me dakordimin e Marrëveshjes së Ohrit, kryeministri Albin Kurti “e ka shkelë Kushtetutën”.
Pas deklaratave të Gecit, nga zyra e Presidentes së Kosovës kanë reaguar duke thënë se Osmani s’ka bërë deklarime të tilla.
Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, tha se qëndrimet e saj mbi këtë marrëveshje janë publike dhe se s’ka dalë përtej tyre.
“Vlerësimet e Presidentes Osmani për Marrëveshjen e Ohrit dhe drafstatutin e Asociacionit janë publike, ndaj Presidentja kurrë dhe me askë nuk ka shkuar përtej këtyre deklarimeve publike për të cilat ka qenë transparente ndaj të gjithë qytetarëve”.
“E kam pasë rastin ta takoj Vjosën në hollin e Kuvendit fill pasi është bërë marrëveshja dhe më ka thënë me gojë të saj që ata e kanë shkelë Kushtetutën. Është njohëse e mirë e Kushtetutës Vjosa Osmani”, ka thënë Geci në intervistë në emisionin e T7.
Presidentja Osmani publikisht kishte mbështetur Marrëveshjen e Ohrit e cila u dakordua mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në mars të 2023-ës me ndërmjetësimin e Brukselit.