Deda pas takimit mes Kurtit dhe Hamzës: U rrit mundësia e kandidaturës të Osmanit dhe mandatit të saj të dytë

Prishtinë | 28 Shk 2026 | 19:10 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik Ilir Deda ka reaguar pas asaj që ai e quajti “dështim i konsultimeve” ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës për gjetjen e një emri konsensual për Presidentin e vendit, duke e quajtur këtë proces të paqartë dhe duke kërkuar që të mos humbet më kohë me lëvizje të pasuksesshme politike.

Deda shkroi se nëse ka ekzistuar realisht synimi për të ndërtuar një proces për një emër konsensual, atëherë ka qenë e ditur se ai nuk do të ishte nga asnjëra prej dy partive kryesore.

Ai njëkohësisht vlerëson se pas kollapsit të këtyre konsultimeve është rritur mundësia që Vjosa Osmani të rikandidojë dhe të marrë një mandat të dytë presidencial.

“Arsyja e kollapsit të konsultimeve të LVV me PDK mbetet e paqartë. Nëse është tentu të ndërtohet proces për emër konsensual, ky emër dihet që nuk do të ishte anëtar/e i asnjërës nga këto dy parti. Duket se tash u rrit mundësia e kandidaturës të Vjosa Osmanit dhe mandatit të saj të dytë. Mos i humbni kohë as Kosovës e as vetes me procese politike që nuk po dini t’i bëni, e as mos bëni lojëra me zgjedhje të reja se s’kemi nevojë për to. Mblidheni Kuvendin edhe zgjidheni Presidentin/en”, shkroi ai.

Të ngjashme