Aksioni kundër krimeve të luftës, të arrestuarit janë serbë nga Suhogërrla

Prishtinë | 01 Mar 2026 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka realizuar operacionin policor të koduar “SYRIGANA”, i cili ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile në Skenderaj.

Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, pas një pune intensive hetimore, kanë zhvilluar veprime lidhur me vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë, Komuna e Skenderajt, gjatë periudhës maj–qershor 1998.

“Gjatë këtij procesi janë siguruar prova materiale dhe dëshmi relevante, si dhe janë identifikuar persona të dyshuar, për të cilët është përpiluar kallëzim penal dhe dorëzuar në Prokurorinë Speciale”, thuhet në njoftim.

Policia bën të ditur se në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin e rastit janë ndërmarrë veprime shtesë hetimore, konform autorizimeve ligjore, ndërsa pas grumbullimit të provave, prokurori special ka autorizuar lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

“Sot, më 01.03.2026, duke filluar nga ora 06:00, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur nga Njësia Speciale Operative, kanë realizuar planin operativ ‘SYRIGANA’ në gjashtë lokacione të ndara – pesë në Komunën e Skenderajt dhe një në Mitrovicën e Veriut – ku janë arrestuar pesë persona të dyshuar”, theksohet në komunikatë.

Gjatë operacionit, me urdhër verbal për bastisje të miratuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, janë kryer kontrolle në objekte banimi dhe objekte përcjellëse, ku janë konfiskuar një armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, një armë brezi e tipit Zastava M-57, dy karikatorë me 77 fishekë, një pushkë gjuetie 12 GA me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi, si dhe uniforma dhe pjesë të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave.

Me vendim të prokurorit special, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Policia e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale mbetet e përkushtuar në zbardhjen e krimeve të luftës dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë, duke garantuar sundimin e ligjit dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre”, thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme