AGK-ja dënon sulmet kibernetike kundër portalit Reporteri.net

Prishtinë | 01 Mar 2026 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar për një seri sulmesh të organizuara kibernetike ndaj mediave sociale të medias online, Reporteri.Net në 48 orët e fundit.

“Si pasojë e sulmeve faqet në Instagram (përkohësisht) dhe në Facebook të kësaj media janë mbyllur. Drejtuesit e saj kanë konfirmuar se kërcënimet po vijnë nga një numër telefoni me bazë në Kanada”, thuhet në reagim.

Siç bëhet e ditur tutje në reagimin e tyre në Facebook, udhëheqësit e Reporteri.Net tashmë e kanë lajmëruar rastin në Policinë e Kosovës, dhe AGK-ja i bën thirrje Njësitit të Krimeve Kibernetike për reagim urgjent në gjetjen e autorëve të sulmit dhe procedimin me veprime të tjera.

“AGK-ja dënon fuqishëm këto sulme ndaj Reporterit, që janë përpjekje për cenimin e lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë, dhe si të tilla janë të papranueshme”, thuhet në reagim.

Të ngjashme