Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, ka folur lidhur me shqetësimit që ngritën në vazhdimësi mbi cilësinë e arsyetimit të vendimeve, për çka tha se kanë qenë vetëkritik.
“Realisht në emrin e sistemin kemi qenë vetëkritik sa i përket arsyetimit të vendimeve, kemi trajtuar këtë çështje në vazhdimësi edhe në kolegjiumet që kemi pas brenda gjykatave. Kemi trajtuar këtë edhe gjatë vizitave që kemi pas nëpër gjykata edhe gjatë punëtorive që i kemi mbajtur. Edhe me Gjykatën e Apelit edhe me Gjykatat Themelore, ne do të vazhdojmë që këtë çështje ta ngrisim dhe ta diskutojmë me secilin prej gjyqtarëve”, ka thënë ai,
Në anën tjetër, ai ka thënë se nuk kanë probleme strukturore në Gjykatën Supreme. Por, tha se kanë pasur mungesë të stafit mbështetës veçanërisht të bashkëpunëtorëve profesional.
“Tash veç është një konkurs i hapur që besoj që ka me u plotësu shpejt ato vende. Dihet që me ligjin mbi gjykatat është paraparë që secili gjyqtar ta ketë të paktën një bashkëpunëtor profesional. Në mungesë të buxhetit kjo dispozitë ligjore nuk ka gjetur asnjëherë zbatim. Edhe në Gjykatën Supreme, por në asnjërën nga Gjykatat brenda vendit”, ka shtuar ai.