Me thirrjet “Marshojmë, s’festojmë. Njëra-tjetrën ne e mbrojmë”, një grup i personave protestuan të dielën në Prishtinë, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke kërkuar më shumë të drejta, barazi dhe drejtësi për gratë.
Protestuesit marshuan në mesditë nga sheshi “Zahir Pajaziti”, drejt Këshillit Prokurorial të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor, për të përfunduar te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, në sheshin “Skënderbeu”.
Marshi u organizua me moton “Revoltohemi për jetë me dinjitet”.
Gjatë protestës u dëgjuan thirrje, si: “Trupi im, e drejta ime”, “Përdhunues mos u fsheh, burgu po të pret”, “Sot marshojmë, çdo ditë luftojmë” dhe ‘”Kush na mbron prej përdhunuesve? Shoqet tona”.
Organizata “Marshojmë S’Festojmë”, që organizoi protestën, tha se 8 Marsi është një ditë që rikujton zanafillat revolucionare të lëvizjes së grave dhe nevojën për të vazhduar përpjekjet kundër pabarazisë dhe dhunës.
Ata thanë se ende mbetet shumë punë për të luftuar femicidin dhe format e ndryshme të dhunës ndaj grave: fizike, emocionale, ekonomike dhe seksuale.
Në njoftimin e tyre, organizatorët përmendën gjithashtu dhunën në familje, ngacmimet seksuale në hapësira publike dhe shpërndarjen e fotografive intime pa pëlqim në internet si disa nga problemet me të cilat përballen gratë në Kosovë.
Ata kritikuan edhe vendime institucionale që, sipas tyre, kufizojnë të drejtat e grave dhe vajzave.
Protesta u zhvillua në një kohë kur gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida në tregun e punës, në trashëgiminë e pronës dhe në mbrojtjen nga dhuna.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rreth 80 për qind e grave në Kosovë nuk janë pjesë e tregut të punës. Po sipas këtyre të dhënave, burrat janë të punësuar në përqindje dukshëm më të lartë se gratë.
Pabarazi të ngjashme vërehen edhe në pronësi. Sipas statistikave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, më pak se një e pesta e pronave në vend janë të regjistruara në emër të grave.
Ndërkohë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, një në tri gra në botë përjeton dhunë gjatë jetës së saj, ndërsa çdo 10 minuta një grua vritet.
Në Kosovë, nga viti 2010 janë vrarë rreth 60 gra, dhe në shumicën e rasteve autorë të krimeve kanë qenë bashkëshortët ose ish-bashkëshortët e tyre./REL