OVL-UÇK: Procesi që çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara nuk ishte rezultat i një reforme të brendshme

Prishtinë | 14 Mar 2026 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka publikuar një reagim lidhur me procesin që çoi në krijimin e Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke thënë se themelimi i saj erdhi si rezultat i presionit ndërkombëtar pas raportit të miratuar në Këshillin e Evropës.

Sipas OVL-UÇK-së, procesi për krijimin e kësaj gjykate nuk ishte pjesë e një reforme të brendshme të drejtësisë në Kosovë.

“Procesi që çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara nuk ishte rezultat i një reforme të brendshme të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ai nisi si pasojë e një raporti të miratuar në Këshillin e Evropës në vitin 2011, raport që përmbante akuza të rënda ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, përfshirë pretendime për trafikim organesh”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, raporti i hartuar nga Dick Marty krijoi trysni të madhe ndërkombëtare ndaj Kosovës, duke e vendosur vendin përballë nevojës për të pranuar krijimin e një gjykate të veçantë.

“Ky raport krijoi një trysni të fuqishme ndërkombëtare dhe e vendosi Kosovën përballë një realiteti të ri politik: për të ruajtur mbështetjen e partnerëve strategjikë dhe për të mos rrezikuar proceset integruese, Kosova duhej të pranonte krijimin e një gjykate të veçantë”, thuhet në postim.

OVL-UÇK rikujton se në vitin 2015 Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për themelimin e kësaj gjykate, ndërsa sipas tyre, që nga ajo kohë procesi ka marrë edhe ngjyrim politik.

“Një pjesë e shoqërisë e pa këtë si domosdoshmëri shtetërore, një pjesë tjetër si imponim ndërkombëtar. Kjo ndarje fillestare u shndërrua në themelin e mëvonshëm të krizës së besimit”, theksohet në reagim.

Në reagim thuhet gjithashtu se mandati i Gjykatës është fokusuar vetëm tek pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Mandati i Gjykatës ishte i kufizuar dhe u fokusua vetëm tek pretendimet për ‘krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së’. Në planin politik dhe moral, kjo ka prodhuar perceptimin e një drejtësie të fragmentuar”, thuhet në reagim.

Organizata përmend edhe arrestimet e vitit 2020 ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, si dhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

“Personave që publikisht kishin deklaruar gatishmëri për t’u dorëzuar vullnetarisht, iu lidhën duart sikur të ishin kriminelë në arrati. Arrestime nëpër rrugë, konfiskime telefonash dhe kontrolle të shtëpive me ekspozim publik krijuan një spektakël force që ndikoi thellë në opinionin shoqëror”, thuhet në reagim.

Sipas OVL-UÇK-së, pretendimet për trafikim organesh, të cilat dominuan diskursin ndërkombëtar pas vitit 2011, nuk u përfshinë në aktakuzat përfundimtare, gjë që sipas tyre ka ngritur dyshime në opinionin publik.

“Pretendimet për trafikim organesh, të cilat dominuan diskursin ndërkombëtar pas vitit 2011, nuk u përfshinë në aktakuzat përfundimtare, gjë që ka ushqyer dyshime se procesi nisi mbi një narrativë që më pas ndryshoi”, thuhet më tej.

Në reagim përmenden edhe aktgjykimet e para të kësaj gjykate, përfshirë rastet ndaj Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.

“Këto vendime shënuan fazën e parë të konsolidimit të funksionimit të plotë të Gjykatës dhe, në planin formal, dëshmuan se proceset po prodhojnë rezultate konkrete. Megjithatë, në planin shoqëror ato nuk arritën ta zbusin perceptimin e njëanshmërisë që është ndërtuar ndër vite”, thuhet në reagim.

OVL-UÇK thekson se debati për Gjykatën Speciale nuk është vetëm juridik, por lidhet edhe me perceptimin dhe besimin e qytetarëve.

“Debati rreth Gjykatës Speciale nuk është thjesht debat procedural. Ai prek identitetin kolektiv të shqiptarëve dhe pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe për legjitimitetin e saj”, thuhet në reagim.

Të ngjashme