Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë komunën e Podujevës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Majac, dy persona kanë humbur jetën.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, viktimat janë identifikuar me inicialet I.B. dhe M.G. Ndërkohë, e dyshuara për rastin ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Menjëherë pas marrjes së informatave për rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës dhe ekipet hetimore, së bashku me prokurorin e shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, për të ndërmarrë veprimet e para hetimore.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, autoritetet kanë sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja, si dhe prova të tjera materiale që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë.
Sipas hetimeve preliminare, motivi i kësaj ngjarjeje tragjike ende nuk është i njohur. Prokuroria ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, po zhvillon hetime intensive për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.