Abdixhiku në 27 vjetorin e vrasjes së Berishës dhe Hajrizit: Veprimtarë të shquar të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë

Prishtinë | 23 Mar 2026 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në 27 vjetorin e vrasjes ka përkujtuar veprimtarët Latif Berisha dhe Agim Hajrizi.

Përmes, një postimi në profiling e tij në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka shkruar se Berisha dhe Hajrizi ishin veprimtarë të shquar të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, Prof. Latif Berisha ishte një figurë e shquar që përfshinte një mozaik të pasur angazhimesh si poet, profesor, studiues dhe veprimtar politik i palodhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kurse, Agim Hajrizi ishte një sindikalist i guximshëm, i palëkundur dhe atdhetar i përkushtuar, i cili në kohët më të vështira për vendin u vu në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe të popullit të Kosovës.

Postimi i tij i plotë:

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sot, në 27 vjetorin e vrasjes përkujton veprimtarët Prof. Latif Berisha dhe Agim Hajrizi.

“Sot, nderojmë dhe përkujtojmë veprimtarët tanë të shquar të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës, Prof. Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, të cilët u vranë 27 vjet më parë, në shtëpitë e tyre nga forcat serbe.

Prof. Latif Berisha ishte një figurë e shquar që përfshinte një mozaik të pasur angazhimesh si poet, profesor, studiues dhe veprimtar politik i palodhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kontributi i tij në arsimin në gjuhën shqipe në Kosovë është një pasuri e pazëvendësueshme dhe do të mbetet një shembull frymëzues për shumë gjenerata.

Agim Hajrizi ishte një sindikalist i guximshëm, i palëkundur dhe atdhetar i përkushtuar, i cili në kohët më të vështira për vendin u vu në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe të popullit të Kosovës. Si Kryesues i Sindikatës së Kuvendit të Kosovës, ai u bë zë i qëndresës qytetare dhe simbol i guximit. Në natën tragjike të 24 marsit, ai u ekzekutua bashkë me nënën dhe djalin e tij, Ilirin, në një akt mizor që tronditi mbarë vendin.

Latif Berisha dhe Agim Hajrizi do të mbeten gjithmonë në kujtesën tonë si ndër figurat më të shquara, të cilët dhanë gjithçka për Mitrovicën dhe për tërë Kosovën. Vepra dhe idealet e tyre vazhdojnë të na udhëheqin edhe sot.

Lavdi jetës dhe veprës së Prof. Latif Berisha dhe Agim Hajrizi!”

Të ngjashme