MASh shpall thirrje për katër pozita në kuadër të projektit për fëmijërinë e hershme

Prishtinë | 23 Mar 2026 | 18:57 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës (MASh) ka shpallur thirrje publike për rekrutimin e një koordinatori dhe tre specialistëve në kuadër të Projektit për Arsimin dhe Kujdesin në Fëmijërinë e Hershme, i cili mbështetet nga Banka Botërore.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për gjithsej katër pozita profesionale: koordinator/e i/e projektit, specialist/e i/e prokurimit, specialist/e i/e monitorimit dhe vlerësimit, si dhe specialist/e i/e menaxhimit financiar.

“Këto pozita janë pjesë e Njësisë për Zbatimin e Projektit (NJZP) dhe kanë për qëllim mbështetjen e realizimit efektiv të aktiviteteve të projektit”, thuhet në njoftimin e MASh-it.

Tutje theksohet se përmes këtij projekti synohet të kontribuohet në përmirësimin e cilësisë dhe rritjen e qasjes në shërbimet e edukimit në fëmijërinë e hershme në Kosovë.

“Përmes këtij rekrutimi synohet forcimi i kapaciteteve institucionale për zbatimin e projektit, si dhe avancimi i prioriteteve strategjike në zhvillimin e kapitalit njerëzor”, njofton ministria.

MASh ka ftuar të gjithë kandidatët e interesuar që të aplikojnë sipas kritereve dhe afateve të përcaktuara në shpalljen zyrtare, e cila është publikuar në ueb-faqen e ministrisë.

Të ngjashme