Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku ka parashtruar disa pyetje se si ka ndodhur ngjarja.
I akuzuari Murseli sërish tha se në natën kritike kanë qenë pre e grabitjes, derisa pretendon se iu kërkuan vetëm paratë e telefonat.
“Grabitje nën kërcënimin e armës. Jo përveç kuletës. Këtë pyetje ma ka bërë edhe prokurorja dhe po iu përgjigjem edhe juve. Në momentin e grabitjes e vetmja gjë që ka kërkuar ka qenë telefoni dhe paratë, nuk ka kërkuar gjë tjetër. Dhe kur kam ikë nga vetura më fëmijë nuk e kam ditë se a ka marrë diçka”, tha Murseli para trupit gjykues.
Kryetarja: Fëmijët ku kanë qenë të ulur në natën kritike a kanë qenë ulur afër njëri tjetrit?
Murseli: Jo nuk kanë qenë, njëri ka qenë prapa meje, tjetri prapa Liridonës.
Kryetarja: Nga cila derë kanë dalë fëmijët, nga dyer të ndryshme apo e njëjtë?
Murseli: Jo nga dera e njëjtë.
Kryetarja: Siç e shihni ju në foto në mes të fëmijëve ka qenë ajo e lëshuara ndarëse ku është lodra e verdhë, a mund të na jepni sqarim se si ka ndodh largimi i fëmijëve?
Murseli: Nuk e di qysh, unë po tregoj qysh ka ndodhë, aty ishte edhe një telefon nëse e vini re.
Kryetarja: Në mbrojtjen e juaj të paraqitur në këtë gjykatë keni deklaruar se ju me të akuzuarin Granit Plava, spontanisht e keni blerë armën/revolen dhe çmimin e asaj revole e keni paguar ju, a është kjo e vërtete?
Murseli: Po.
Kryetarja: Nëse mundeni me na tregu arsyen pse?
Murseli: Sepse ai tha se nesër e shet dyfish me atë qëllim e kam blerë.
Kryetarja: Cili ka qenë përfitimi juaj nëse e kish shit dyfish?
Murseli: Hic asnjë përfitim, vetëm me i ndihmu.
Kryetarja: Pse ta ndihmoni Granitin?
Murseli: Sepse ishte bashkëfshatar i jemi, shok i Kushtrimit.
Kryetarja: A e keni ditur gjendjen ekonomike të Granitit.
Murseli: Jo ,nuk muj me thanë se e kemi ditë
Kryetarja: Pse paguat për atë nëse nuk e keni ditur?
Murseli: Sepse më tha qe nuk kishte para atë dite.
Kryetarja: A e dini që me atë revole është vrarë bashkëshortja juaj?
Murseli: Po e kuptova./Ekonomia Online