Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Larifi, në 27-vjetorin e masakrës së Krushës së Madhe ka thënë se pikërisht në këtë datë forcat e armatosura serbe ia mësyn këtij fshati për të vrarë gra, burra e fëmijë, raporton Ekonomia Online.
Ai, përmendi edhe një thënie të veprimtarit Ukshin Hoti duke shtuars e kly i fundit ishte i vetëdijshëm se për ta fituar lirinë duheshin bërë sakrifica e privime të dhimbshme.
“Ne vitin 1993, u mor vendimi për formimin e ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Dhe vërtet në gjirin e kësaj ushtrie vepruan bijtë e bijat më të devotshme të kombit. Edhe krushjanët e dëgjuan zërin e arsyes, artikuluan nga bijtë e këtij fshati dhe u rreshtuan masivisht, ndërsa mbështetja materiale e logjistike ishte shembullore nga krushjanët. Këtë atdhedashuri dhe këtë përkushtim krushjanët e paguan shtrenjtë me gjakun e tyre”, tha ai.
“Në fundmarsin e vitit 1999, forcat e armatosura serbe, në formacione të rregullta dhe të kombinuara, mësyjnë këtë fshat liridashës me të gjitha mjetet luftarake në dispozicion me synim vrasjen e djemve e të burrave, të grave e të fëmijëve. Gjaku rrodhi rrëke, ndërsa fshati u zbraz nga banorët dhe shtëpitë u plaçkitën, më pas edhe u dogjën”, tha ai.
“Të respektuar familjarë të dëshmorëve, të martirëve të shumtë të fshatit historik Krushë e Madhe. Strukturat e pushtetit lokal e qendror, pra shoqëri civile, aktivistë të ndryshëm, kur jemi në mesin tuaj, e kemi të vështirë të përmbahemi dhe të mos vihemi nën peshën e rëndë të mallit e të vuajtjeve tuaja. Këtu merr kuptim edhe pesha pra e lirisë sonë”, tha ai.
“E përmenda që në fillim një thënie lapidare të birit tuaj, e birit të kombit Ukshin Hotit, i cili ishte i vetëdijshëm se për ta fituar lirinë duheshin bërë sakrifica e privime të dhimbshme. Ai e dha shembullin personal dhe vetë u bë jehonë e thirrjes për liri e dinjitet njerëzor e kombëtar. Në këtë rrugëtim, krushjanët nuk e lanë vetëm këtë vigan të çështjes shqiptare. Duke qenë të bindur se rrugë tjetër nga liria nuk kishte, krushjanët u vunë në mbështetje të luftës çlirimtare me të gjitha energjitë që kishin”, tha ai.
Sipas Latifit, rrënjët e lirisë rriten e forcohen nga gjaku i derdhur, prandaj ishte sakrifica që duhej bërë.
“Rrënjët e lirisë rriten e forcohen nga gjaku i derdhur. Prandaj ishte sakrifica që duhej bërë, në të kundërtën do të lëngonim edhe për shumë vite në robëri. U vranë gra e fëmijë, pleq e të rinj, të pafajshëm dhe krejt të pambrojtur e të paarmatosur. Ata vetëm një faj kishin, ishin shqiptarë. Duke djegur e zhdukur gjurmët e këtij krimi makabër, serbët menduan se aty ku nuk ka kufoma nuk ka krim. Qenë gabuar rëndë sepse populli nuk harron asgjë. Metodat e vrasjes dhe të zhdukjes së njerëzve tanë ishin metoda të njohura të kriminelëve serbë të udhëhequr nga Serbia, e cila në fakt ishte terroriste, Serbi shtet kriminal”, tha ai.
Sot shënohet 27 vjetori i Masakres se Krushë se Madhe. Nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën, dhe sot shënohet 27-vjetori i kësaj masakre.
Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Për fat të keq, ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona nga Krusha e Madhe. Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë. Pavarësisht kësaj, asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor.
