Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka thënë se Krusha e Madhe është një nga lagët më të ëmdha të historisë sonë, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, Serbia gjakatare nuk u mjaftua me vrasjet dhe sot ende mban në arkivat e saj të errëta përgjigjen për shumë familje të Krushës dhe të Kosovës.
“Dëbimi i gati 1 milion shqiptarëve nga Kosova ishte në fakt një sinjal i qartë si për ata që mbetën në Kosovë ashtu edhe për faktorin ndërkombëtar. Sllobodan Millosheviqi nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga Kosova e okupuar para gati 100 viteve. Fushata e bombardimeve të NATO-s, pas refuzimit të marrëveshjes së Rambujesë nga Serbia, nxorri në fakt në dritë një plan të njohur si Plani Patkoi. Një plan i menduar për spastrimin etnik të Kosovës. Praktikat e Aushvicit nazist 44 vjet më pas bota po i shihte me sy, por tashmë në Kosovë. Dhe Aushvici u përjetua rëndë edhe në Krushën time, në Krushën tonë”, tha ai.
“Krusha e Madhe është një nga plagët më të mëdha të historisë sonë. 241 të vrarë, 64 të zhdukur përfshirë edhe babin tim. Një fshat i tërë i goditur nga një krim i organizuar shtetëror. Këto nuk ishin akte të rastësishme. Ishin pjesë e një plani të menduar dhe të zbatuar, plan për spastrimin etnik të Kosovës. Serbia gjakatare nuk u mjaftua me vrasjet. Ajo u përpoq të zhdukte gjurmët e krimit, të fshehë trupat dhe të mbulojë të vërtetën. Dhe sot, pas 25 vitesh, e mban të mbyllur në arkivat e saj të errëta përgjigjen për shumë familje të Krushës dhe të Kosovës. Edhe sot në këtë vend, tek varrezat, vendosen lule mbi varre të zbrazëta”, tha ai.
Ministri Hoti, ka theksuar se ky Krusha e Madhe kërkon drejtësi.
“Edhe kjo nuk është vetëm dhimbje, kjo është një padrejtësi e vazhdueshme. Prandaj ky vend nuk kërkon mëshirë, ky vend kërkon vetëm drejtësi, sepse drejtësia kërkon veprim. Në këtë rast më lejoni që të vlerësoj në fakt punën e institucioneve tona, në veçanti Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Prokurorisë Speciale, për hapat konkret në ndjekjen e kriminelëve. Në bashkëpunim mes tyre janë arrestuar të dyshuar, janë ngritur aktakuza dhe janë dhënë edhe aktgjykime dënuese, edhe për disa qoftë në mungesë, edhe për disa të tjerë që janë sot prapa grilave”, tha ai.
Ai, ka thënë po ashtu se ashtu Instituti për Krimet e Luftës po bën një punë të rëndësishme, duke mos lejuar që këto krime të mbesin vetëm në kujtesën tonë, por duke i kthyer ato në dokumentim.
“Po ashtu Instituti për Krimet e Luftës po bën një punë të rëndësishme, duke mos lejuar që këto krime të mbesin vetëm në kujtesën tonë, por duke i kthyer ato në dokumentim, në prova dhe në aktakuza për krimet makabre serbe. Por kjo nuk mjafton të dashur. Nuk mjafton sepse dënimet që sot janë dhënë janë një pikë e vogël në oqean, nëse e krahasojmë me krimet që Serbia i ka bërë ndaj Kosovës. Nuk mjafton se edhe 1570 persona, që nuk janë numra po janë njerëz, janë familjarë tonë, vazhdojnë të na mungojnë çdo ditë e tash e 27 vite”, tha ai.
Sot shënohet 27 vjetori i Masakres se Krushë se Madhe. Nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën, dhe sot shënohet 27-vjetori i kësaj masakre.
Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Për fat të keq, ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona nga Krusha e Madhe.
Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë. Pavarësisht kësaj, asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në këtë fshat./Ekonomia Online
