Osmani në Krushë të Vogël: Masakra mbetet plagë e hapur, Serbia po kryen krim të përditshëm duke fshehur të vërtetën

Prishtinë | 26 Mar 2026 | 12:57 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë sot në shënimin e 27-vjetorit të masakrës në Krushë të Vogël, prej ku bëri thirrje për drejtësi dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve, raporton Ekonomia Online.

Osmani e cilësoi këtë masakër si një nga aktet më të errëta të regjimit gjenocidal serb.

“Më 26 mars 1999, këtu ndodhi një nga aktet më të errëta të mizorisë njerëzore, një krim që tronditi ndërgjegjen e botës. Brenda vetëm dy ditësh, regjimi gjenocidal i Serbisë vrau mizorisht 113 burra, djem e fëmijë. Në mesin e tyre kishte edhe fëmijë 12 vjeçarë, por edhe pleq 90 vjeçarë. Por kjo histori nuk mbyllet me kaq. Ajo mbetet e hapur me fatin e pazbardhur të 60 banorëve të këtij fshati, të cilët u zhdukën me dhunë, e për të cilët ende nuk ka përgjigje e as drejtësi. Mungesa e tyre nuk është vetëm dhimbje për familjet, por është një boshllëk i rëndë për të gjithë ne, për të gjithë shtetin dhe shoqërinë tonë”, tha ajo.

“E sot kjo dhimbje nuk vjen vetëm si kujtesë, por si rikthim në këtë vend e në këtë moment, sepse në këtë përvjetor po varroset edhe Ajvaz Shehu, i cili po të jetonte, po mos t’ia merrte jetën në mënyrën më mizore regjimi gjenocidal i Serbisë, sot do të ishte 43 vjeç. Për vite me radhë, ai ka qenë në listën e të zhdukurve me dhunë, një pritje e gjatë për familjen e tij. Sot ai kthehet për t’u prehur në tokën e tij, por jo siç duhej. Ky rivarrim është dëshmi e një krimi që vazhdon, një krimi të përditshëm që Serbia e kryen ndaj Kosovës”, tha ajo./Ekonmia Online

Të ngjashme