Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkujtuar 36-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, duke theksuar rrugëtimin e gjatë të një force politike që lindi nga vizioni për liri, demokraci dhe shtetndërtim.
“36 vite nuk janë vetëm numër, janë kujtime të sfidave, momente të dhimbjes, por mbi të gjitha janë dëshmi e një vizioni që nuk u shua kurrë. Janë vite të besimit se fjala e lirë, vota dhe mendimi demokratik janë themeli i një shoqërie të drejtë”, ka shkruar Selmanaj.
Ai theksoi se ky përvjetor është një moment reflektimi për angazhimin e të gjitha strukturave të LDK-së, që me përkushtim kanë mbajtur gjallë frymën Rugoviane dhe kanë kontribuar në çdo etapë të rëndësishme të vendit.
“Mirënjohje e veçantë për të gjithë ata që kontribuan në këtë rrugë, ata që sakrifikuan, ata që besuan dhe ata që vazhdojnë të punojnë me përkushtim për një Kosovë më të mirë. Një nderim i përhershëm për themeluesin dhe Presidentin e papërsëritshëm, Dr. Ibrahim Rugova, vizioni i të cilit mbetet udhërrëfyes edhe sot”, u shpreh ai.
Selmanaj përfundoi duke nënvizuar angazhimin e vazhdueshëm të LDK-së.
“Angazhimi ynë vazhdon me dinjitet, me përgjegjësi dhe me shpresë, për një LDK të fortë, të bashkuar dhe gjithmonë në shërbim të qytetarëve. Urime datëlindja e LDK-së në Prizren!”, shkroi ai.