Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN Kosova), në bashkëpunim me Internews Kosova kanë publikuar raportin mbi trendet e dezinformimit dhe analizës ligjore.
Jeta Xharra nga BIRN ka thënë se ky projekt ka përfshirë shumë organizata, duke shtuar se i njëjti është mbështetur nga qeveria britanike, raporton Ekonomia Online.
“I gjithë ky aktivitet po zhvillohet falë mbështetjes së qeverisë britanike, e cila ka vendosur me përkrahë një projekt shumë ambicioz të trajtimit të dezinformimit në përgjithësi në Kosovë. E kur po them seriozisht, po dua konkretisht t’i listoj rezultatet konkrete të këtij projekti deri tash. Në më pak se gjashtë muaj janë publikuar 260 produkte mediatike (artikuj, lajme, infografika, dokumentarë, analiza, raporte). Janë prodhuar 13 dokumentarë dhe debate televizive. Janë financuar 15 gazetarë të tjerë, të cilët kanë aplikuar në një konkurs për të publikuar hulumtime dhe analiza që e luftojnë dezinformimin në forma të ndryshme. Janë trajnuar mbi 80 zyrtarë që vijnë prej gjykatave, prokurorive dhe institucioneve të ndryshme, për t’i detektuar dezinformatat që janë me rëndësi për punën e tyre (për doganën, gjykatat, prokurorinë, policinë”, ka deklaruar Xharra.
Kurse, ambasadori Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves tha se Kosova si çdo demokraci tjetër evropiane po ballafaqohet me përpjekje të organizuara të dezinformimit.
“Para se të flas për bashkëpunimin mes Kosovës dhe vendeve të Mbretërisë së Bashkuar, mbase duhet të përmend konkurrencën dhe të them se shpresoj vërtet që do të kemi një garë gjatë Kupës së Botës mes Kosovës dhe Anglisë ose Skocisë. Forca Kosova të martën dhe urime për mbrëmë. Por, le të kalojmë te pjesa e bashkëpunimit. Faleminderit Jeta për fjalët tuaja dhe faleminderit për punën që BIRN dhe Internews kanë bërë përmes këtij projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm ‘Midwatch’, i cili na ndihmon të përballemi me një realitet të vështirë: që Kosova, si çdo demokraci evropiane, është nën presion të vazhdueshëm nga përpjekjet e organizuara dhe mirëfilli të mirë përdorura të dezinformimit. Ky raport i shkëlqyer, të cilin e shfletova dhe synoj ta lexoj siç duhet, i paraqet shumë qartë dëshmitë e kësaj.
Por nuk ndodh vetëm në Kosovë, sepse në të gjithë Evropën po përballemi me një fushatë në rritje dhe të qëllimshme dezinformimi nga shtetet armiqësore, veçanërisht Rusia. Ministrat tanë në Britaninë e Madhe kanë qenë absolutisht të qartë për përmasat e këtij kërcënimi. Në vitin 2023, Britania e Madhe së bashku me kolegët nga SHBA dhe Kanadaja ekzpozuan publikisht një operacion të koordinuar rus të krijuar për të manipuluar zgjedhjet presidenciale në Moldavi dhe për të nxitur trazira nëse rezultati i preferuar i Kremlinit nuk do të materializohej. Ky ishte një vit në të cilin votuesit në më shumë se 60 vende morën pjesë në zgjedhje kombëtare. Pra, një ndërhyrje e tillë flagrante e jashtme në procesin demokratik të një vendi tjetër na indinjoi të gjithëve dhe vazhdon të na indinjojë.
Siç tha kolegu im i Mbretërisë së Bashkuar në një komitet në OKB: ‘Rusia nuk po sulmon vetëm njerëzit e vendeve tona, Rusia po sulmon vetë nocionin e së vërtetës objektive, e cila pasi humbet, nuk mund të rikuperohet kurrë’. Pra, kjo është pjesë e një strategjie më të gjerë për të dobësuar unitetin e Evropës dhe në veçanti për të thyer vendosmërinë tonë kolektive në unitetin e NATO-s dhe në mbështetjen e Ukrainës; një vendosmëri që unë e di se ky vend, Kosova, e ndan fuqishëm.
Po ashtu, një raport nga Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar paralajmëroi se Rusia dhe Kina po e trajtojnë tashmë domenin e informacionit si një fushëbetejë të re, ku gënjeshtrat mund të përhapen më shpejt se çdo armë konvencionale. Ata theksuan se dezinformimi mund të nxisë trazira brenda pak orësh, duke shfrytëzuar ndarjet sociale, duke nxitur ekstremizmin dhe duke gërryer besimin në proceset demokratike”, tha Hargreaves.
Ndërsa, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se për të kuptuar rolin e medias së pari duhet të ndalemi te transformimi i informacionit, duke shtuar se dallimi mes lajmit dhe interpretimit është bërë i paqëndrueshëm.
“Për të kuptuar rolin e medias sot, duhet që fillimisht të ndalemi te transformimi i informacionit. Dikur, besoj pajtohemi, informacioni kishte një arkitekturë të dallueshme: përpunohej në redaksi, filtrohej përmes standardeve profesionale dhe shpërndahej në intervale të caktuara. Sot, kjo arkitekturë fatkeqësisht është shpërbërë. Informacioni nuk ndjek më rrugën lineare, ai qarkullon në rrjete të hapura, të fragmentuara dhe të ndërmjetësuara nga platformat që nuk prodhojnë as përmbajtje, por as informacion. Dallimi mes lajmit dhe interpretimit është bërë i paqëndrueshëm, ndërkohë dallimi mes informacionit dhe manipulimit nuk ka qenë asnjëherë më i zbehtë. Ndaj, në këtë realitet të ri, liria e medias nuk mund të kuptohet më vetëm si mungesë e censurës”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se liria e mediave matet me kapacitetin e sistemit për të garantuar transparencë.
” Sot liria e medias matet edhe me kapacitetin e sistemit për të garantuar transparencë, për të zbuluar ndikimin dhe për të mbrojtur integritetin e informacionit. Dhe pikërisht këtu fillon problemi ynë. Ngase në këtë arkitekturë të brishtë të hapësirës informative, çështja e pronësisë së mediave nuk është dytësore. Është thelbësore, është kuintesenciale. Mënyra se si zotërohen dhe financohen mediat përcakton drejtimin e informacionit që qarkullon në publik. Pronësia ekziston në letër, por jo gjithmonë në kuptimin substancial të saj, sepse ajo që mungon në fakt është identifikimi i kontrollit real ekonomik dhe redaktorial. Strukturat e ndërmjetme dhe pronësia indirekte e bëjnë të vështirë të kuptohet se kush vendos, kush ndikon dhe në anën tjetër, kush përfiton”, tha Haxhiu.
Ndër të tjera kryekuvendarja deklaroi se liria e medias përcaktohet gjithnjë e më shumë nga raporti me pushtetin real.
“Zakonisht kur trajtohet liria e medias, diskutimi fillon dhe përfundon te raporti mes medias dhe qeverisë. Ky është një kornizim i njohur, i trashëguar nga një kohë kur rreziku kryesor vinte nga ndërhyrja direkte politike. Por sot, liria e medias përcaktohet gjithnjë e më shumë nga raporti me pushtetin real, përmes pronësisë, financimit dhe kapaciteteve të përqendruara që e bëjnë të mundur jo vetëm mbështetjen, por edhe drejtimin e përmbajtjes. Kjo është arsyeja pse në shumë raste autonomia redaktoriale është pothuajse inekzistente dhe pronarët zgjedhin atë që lejohet të raportohet. Këto dinamika tashmë të njohura evidentohen në mënyrë të vazhdueshme edhe në raportet ndërkombëtare, të cilat theksojnë përqendrimin e pronësisë dhe ndikimin e interesave ekonomike në hapësirën mediale nga një numër i kufizuar pronarësh. Megjithatë, edhe kur këto gjetje bëhen publike, ato rrallëherë trajtohen me seriozitetin e duhur brenda vetë medias. Shpesh kalojnë pa u problematizuar, pa u analizuar dhe pa u kthyer në debat të mirëfilltë.
Prandaj, nëse duam të kuptojmë lirinë e medias sot, duhet të shohim përtej raportit klasik me qeverinë. Duhet të shohim strukturën e ndikimit që rrethon median, që e furnizon atë dhe shpesh e kufizon vetë hapësirën e saj të lirisë. Në mungesë të kësaj arkitekture etike, reagimi ynë ndaj dezinformimit mbetet i shpërndarë, i pakoordinuar dhe reaktiv”, tha Haxhiu.


