Promovohet libri “TRENI – në kufirin mes tmerrit dhe lirisë”, sjell rrëfimet e luftës dhe kujtesës kolektive

Prishtinë | 26 Maj 2026 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Është promovuar libri me kujtime “TRENI – në kufirin mes tmerrit dhe lirisë”, një vepër që sjell rrëfime të dhimbshme dhe reflektime mbi luftën, kujtesën dhe rëndësinë e dokumentimit të historisë.

Promovimi i librit u mbështet nga Ambasada Britanike në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se libri paraqet dëshmi të rëndësishme për vuajtjet, por edhe për qëndrueshmërinë dhe solidaritetin e njerëzve gjatë luftës.

“Dëshmia këtu flet për frikë dhe humbje, dhe jam i sigurt se për shumë njerëz këtu, ajo frikë dhe ajo humbje mbetet pjesë e historisë së tyre. Por këto dëshmi flasin edhe për qëndrueshmërinë dhe na sjellin ndërmend se të gjitha këto përvoja që kemi kaluar lidhen drejtpërdrejt edhe me të drejtat e njeriut. Prandaj këto kanë të bëjnë me të kuptuarit jo vetëm të së kaluarës, por edhe të së ardhmes.

Prandaj është shumë e rëndësishme që këto të dokumentohen sepse krijojnë një hapësirë për reflektim, një pikë fillestare për dialog dhe një burim për të mësuar dhe mendoj se kjo ka rëndësi veçanërisht për të rinjtë, sepse ata janë, ata që do të formësojnë të ardhmen dhe mendoj se kjo mund të shërbejë edhe si një urë ndërmjet gjeneratave dhe perspektivave. Sepse këtu kemi të bëjmë me një rrëfim edhe për solidaritetin”, tha ai.

“Në moment krize, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi hapën kufijtë e tyre dhe komunitetet aty i pranuan njerëzit në nevojë dhe komuniteti ndërkombëtar i është përgjigjur kësaj thirrjeje dhe Mbretëria e Bashkuar ka ofruar ndihmë për shumë njerëz të cilët kanë pasur nevojë në atë kohë. Dhe shumica prej tyre kanë dhënë një kontribut të çmuar edhe në Mbretërinë e Bashkuar edhe këtu në Kosovë. Prandaj ky është një rikujtim që në periudha të vështira, mbështetja, humaniteti dhe dinjiteti duhet të vazhdojnë. Ne jemi shumë krenarë që kemi mbështetur këtë punë, sepse ne besojmë se për ballafaqimi me të kaluarën është shumë i rëndësishëm, sepse ne e dimë edhe nga historia jonë”, tha ambasadori.

Autorja e librit, Eliza Hoxha, falënderoi të gjithë kontribuuesit dhe theksoi rëndësinë e dokumentimit të përvojave të luftës për brezat e rinj.

“Ju që i keni dhënë peshë edhe rëndësi të madhe këtij libri, për ndër të këtij udhëtimi, të cilin shumë, shumë shpesh të rinjtë e të rejat e Kosovës së pasluftës as nuk e kuptojnë e as nuk e njohin mjaftueshëm. Para se me mendua se si e kam pa unë krejt këtë udhëtim timin me këto rrëfime edhe pse ka nis kjo ide, dua me i falënderu të gjithë respondentët. Është e kotë të kesh një ide kur nuk kemi mundësi me e ushqy me përmbajtje. Edhe ju i keni dhënë kuptim sepse keni hapë zemrën edhe e keni nda me ne krejt përvojën tuaj personale, ashtu se si ka qenë dhe ne jemi mundu bashkë me Kushtrimin, me Integrën dhe të tjerët që kanë punuar në dokumentim, në ekipin e dokumentimit, mos me e prekë edhe me e lanë ashtu se si ju e keni ndjerë dhe se si ju e keni përjetuar. Tha edhe ambasadori, është tepër e rëndësishme që 27 vite pas luftës, jo të gjitha përpjekjet tona, qofshin për liri, ose dhe përvojat tona që i kemi pasur në rrethana të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës, janë dokumentuar. Mendoj që dokumentimi është tepër i rëndësishëm për të pasur mundësi edhe në krijimin e paqes aty ku ende është, si ta them, fragjile, për ta ushqyer paqen edhe për ta mirëmbajtur paqen dhe për ta krijuar hapësirën për dialogim të vazhdueshëm edhe të gjeneratave që janë prekur direkt nga lufta, por edhe të fëmijëve, të të rinjve të reja që nuk e njohin mirë këtë pjesë”, tha ajo.

Hoxha shtoi se libri synon të shërbejë si urë komunikimi ndërmjet gjeneratave dhe si kujtesë kolektive për të kaluarën.

“Në këtë mënyrë, libri nuk është thjesht përcjellje kujtimesh, por platformë për dialog midis gjeneratave dhe ballafaqim konstant me të kaluarën. Duke i hapur këto faqe, ne bëjmë një akt kujtese dhe një premtim ndaj vetes që historia të mos mbulohet si lumenjtë e Prishtinës. Më fund, metafora e lumenjve, atyre të mbarrosur nën qytet, dhe atyre që të përbërë nga turmat e njerëzve, na kujtojnë një gjë: që historia sado që përpiqemi ta mbulojmë, e gjen gjithmonë një mënyrë për të dalë në sipërfaqe. Dhe ne sot jemi këtu pikërisht për këtë, si një bilbil, për të mos harruar, për të kujtuar dhe për ta kuptuar rolin tonë, që e kemi sot, që duhet ta bartim këtë te gjeneratat e reja”, shtoi ajo.

Të ngjashme