Xhavit Jashari nga OVL–UÇK ka thënë se po protestojnë në oborrin e institucioneve të vendit, pasi sipas tij këto të fundit kanë degraduar pafundësisht, raporton Ekonomia Online.
“Organizatat e dala nga lufta kanë thirrur protestë pikërisht në oborrin e institucioneve të Kosovës, të cilat kanë degraduar pafundësisht. E them këtë sepse Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri i saj bënin krokofjalë të pandalshme për bashkimin kombëtar, mbanin në xhaketë simbolin dhe flamurin kombëtar, ndërsa në anën tjetër kishin për këshilltar një person i cili vazhdimisht synonte dhe bënte përpjekje të degradojë luftën e pastër dhe të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky person është Shkëlzen Gashi”, ka thënë Jashari.
Sipas tij, brenda qeverisë ka ministra që janë anti-UÇK.
“Degradimi kaq i rëndë dhe i paskajshëm i kësaj qeverie vjen sepse brenda saj ka ministra të cilët janë anti-UÇK. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar publikisht se më mirë dhe më lirë do të na kushtonte liria e këtij vendi po t’i kishim paguar mercenarët, që është fyerje e rëndë për veteranët”, ka shtuar ai.
Protesta e veteranëve po mbahet për të kundërshtuar ekspozitën e vendosur në sheshet e Prishtinës, e cila, sipas tyre, ka pasqyruar me pasaktësi masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë.



