Ndeshja Kosovë-Turqi, fansat e dy vendeve të ndarë në rezultate

Prishtinë | 31 Mar 2026 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Kosova sot pret në fushë Turqinë, ku do të ndeshen në finalen e madhe për kualifikimin në Kampionatin Botëror, raporton Ekonomia Online.

Qytetarët turq të cilët kanë ardhur enkas për ta shikuar ndeshjen pohojnë se kjo është një lojë mes dy shteteve që sipas tyre janë vëllazërore.

Elif Naz e cila thotë se ka ardhur nga Turqia edhe pse është me prejardhje nga Kosova pret rezultat pozitiv për kundërshtarin e Kosovës.

“Turqia fiton shpresoj, sepse unë kam ardhur nga Turqia, prejardhja ime është nga Kosova, dhe gjithashtu shpresoj që ndoshta Kosova fiton, është në rregull që ne të fitojmë. Ndoshta Turqia 3, Kosova 1”, tha Naz për EO.

Një qytetar nga Kosova shprehet se mposhtja e Turqisë do të thotë shumë për Kosovën.

“Shiko rezultati do të jetë në favor tonin, po pesha më e madhe e kësaj ndeshje është sepse kjo është ndeshje historike. Ne po e mposhtëm Turqinë, e fituam kampionatin botëror, jo që do të shkojmë në kampionatin botëror. Ma merr mendja që do ta mposhtim me rezultat të ngushtë”, tha qytetari.

Gani Llapashtica, ish- lojtar i Prishtinës është optimist se djemtë e Kombëtares do të fitojnë.

“Na mburrem, unë jam Gani Llapashtica, ish lojtar, legjenda e futbollit të gjeneratës së artë në ish- Jugosllavi, ne e kemi pritë dy milionë banorë, kundër 80 milionë banorëve, Kosova është njoftë që 10 vite prej FIFE-s, prej një lagje të vogël na kena më iu dalë një lagje e madhe Turqisë edhe do të fitojmë. E vështirë gjithqysh, patjetër po edhe të vështirën, do ta kalojmë, nuk ka dasëm pa mish, qysh e ka shqyerë ky djersën në lojë, edhe këta duhet ta shqyejnë, Forca Kosova”, tha Llapashtica.

Deniz një fans nga Turqia tha se ndeshja mes dy vendeve është më shumë vëllazërore dhe se ndihet në Kosovë si në shtëpi.

“Së pari shpresoj që do të jetë një lojë mes dy vendeve vëllazërore, do të jetë një lojë e drejtë dhe lojë paqësore, krahas asaj unë mendoj që edhe pse e dua Kosovën është vendi im me prejardhje, unë mbështes Turqinë, dhe ishalla do ta fitojmë këtë lojë sot me rezultat 3-1 për Turqinë. Për mua është sikur të jem në shtëpi, të gjithë njerëzit janë të sjellshëm, kafja është shumë e mirë, bureku është i mirë, e dua vendin këtu, pra ndihem si në shtëpi, shumë sigurt, jam i lumtur që jam këtu. Dhe kur ta fitojmë lojën, udhëtimi im në Kosovë, do të jetë i suksesshëm. Është hera ime e parë në Kosovë, ne kemi qenë në Prishtinë, Prizren dhe ne kemi qenë në Mitrovicë, ka qenë e mrekullueshme, më pëlqen këtu. Shumë dashni për vëllezërit dhe motrat kosovare, shpresoj të fitojë më i miri në lojë, por shpresoj që Turqia”, tha Deniz nga Turqia.

Ndërkaq Jetmir Bajqinovci shpreson se ndeshja do të përmbyllet me rezultat 2 me 1 për Kosovën.

“Loja ka me shku 2 me 1 për Kosovën, shpresojmë. Lojë e vështirë se ata janë të fortë, por ma merr mendja që fitojmë. Po historike se është finale, nëse fitojmë kualifikohem”, tha Bajqinovci për EO.

Në kryeqytet kishte tifozë nga të gjitha trojet shqiptare duke përfshirë edhe ata nga Tetova.

E, njëri nga ta tha se është optimist për rezultat fitues për Kosovën.

“Vij nga Tetova, 3-1 për Kosovën. Shumë mirë, fantastik”, tha tifozi.

Ndeshja Kosovë-Turqi, do të luhet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim në ora 20:45./Ekonomia Online

Të ngjashme