“Nuk munda t’i tregoj që i erdhi kufoma e djalit”, dëshmitarja e Masakrës së Lybeniqit rrëfen tmerret

Prishtinë | 01 Pri 2026 | 07:53 | Nga Ekonomia Online

Sot shënohet 27-vjetori i Masakrës së Lybeniqit, ndërsa dëshmitarja e këtij tmerri, Elhame Kurtaj-Haradinaj, rrëfeu të pathënat e aktit kriminal.

Aktivistja tha se Serbia ka kryer krime shumë të rënda ndaj popullit të Kosovës.

“Ata përveç që kanë kryer krimin, i kanë bartë me vete kufomat, kanë dashur ta fshehin krimin, kanë shpallë edhe një luftë tjetër psikologjike me familjarë”, u shpreh Kurtaj-Haradinaj, për Klan Kosova.

Ajo ndau edhe një rrëfim tejet prekës nga koha e luftës, kur ushtronte edhe profesionin e mësueses në Lybeniq.

“Unë kam qenë ajo që ua kam dhënë lajmin kur i kanë sjell kufomat prej Serbisë. Nuk kam mundur të shkojë te nëna e vet [nxënësit të saj] me ia dhanë lajmin që të ka ardh kufoma e djalit të vetëm”, tha mes emocioneve ajo.

Ndër të tjera, Kurtaj-Haradinaj tha se liria që dikur u derdh gjak për të, sipas saj, ajo sot nuk po mbrohet si duhet.

Të ngjashme