Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas humbjes së Kombëtares ndaj Turqisë, mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Kurti ka shkruar se të gjithë jemi të pikëlluar nga ndeshja e mbrëmshme, duke shtuar se përfaqësuesja jonë na ka dhënë emocione të jashtëzakonshme.
Postimi i tij i plotë:
Të gjithë jemi ende të pikëlluar dhe të mërzitur nga ndeshja e mbrëmshme në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Tash na vlon meraku kolektiv: do të mund të bëhej kështu sikur t’ia kishim bërë ashtu, ky apo ai, ose që të dy… E di që kemi dëshiruar një lojë ndryshe e rezultat tjetër, se i tërë kombi donte fitore, por edhe djelmoshat tanë e meritonin gjithashtu.
Por le të mos harrojmë që përfaqësuesja jonë na ka dhënë emocione të jashtëzakonshme duke na bërë krenarë aq shumë sa t’u jemi mirënjohës përgjithmonë e përkrah përherë. Fakti që ishim kaq pranë kualifikimit tregon sa afër madhështisë jemi. Dhe shpejt, aty do të jemi.
Andaj edhe sot e çdo ditë tjetër, forca Kosovë! Faleminderit të gjithë lojtarëve, trajnerit dhe stafit për angazhimin e madh në secilën ndeshje.