Presidentja Osmani: Lybeniqi, plagë e hapur e kujtesës sonë, drejtësia për viktimat është detyrim shtetëror

Prishtinë | 01 Pri 2026 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar masakrën e Lybeniqit, duke theksuar se krimet e kryera nga forcat serbe në këtë fshat mbeten ndër më të rëndat e luftës së fundit. Ajo tha se aty u vranë pa mëshirë fëmijë në djep, gra shtatzëna dhe të moshuar të pafuqishëm, duke dëshmuar qartazi, siç u shpreh ajo, synimin gjenocidal të regjimit të atëhershëm serb për shfarosjen e popullit shqiptar.

“Sot, familjarët e të vrarëve në Lybeniq, ndërmjet dhimbjes dhe krenarisë, mbajnë amanetin për ta ruajtur shtetin e ndërtuar mbi sakrificë, amanet që e kemi secili prej nesh”, ka deklaruar Presidentja.

Osmani tha se Lybeniqi mbetet plagë e hapur në kujtesën kolektive të popullit të Kosovës, por njëkohësisht edhe dëshmi e qëndrueshmërisë dhe çmimit të lirisë.

Ajo theksoi se drejtësia për viktimat është detyrim moral, njerëzor dhe shtetëror, duke kërkuar që krimet e kryera të mos harrohen kurrë.

“Lavdi e përjetshme për martirët dhe dëshmorët e Lybeniqit!”, përmbylli Presidentja Osmani.

Të ngjashme