Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Rozeta Hajdari në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, tha se qeveria ka ndërhyrë aty ku ka qenë e nevojshme për çmimet e derivateve të naftës, derisa pati kritika edhe për qeveritë e kaluara, raporton Ekonomia Online.
Hajdari tha se propozimi i opozitës për ulje të përkohshme të TVSH-së dhe akcizës po bëhet pa plan konkret.
“Po propozohet pra ulja e përkohshme e TVSH-së ose akcizës, subvencionimi i sektorëve më të ndjeshëm përfshirë bujqësinë dhe prodhimin, si dhe mbështetje për transportin publik dhe më shumë, por pa asnjë plan se si do të kompensohen ato. Le ta themi qartë: kjo mund të tingëllojë mirë për ju në aspektin partiak, ju deputetë të opozitës, por është ekonomikisht e papërgjegjshme dhe politikisht populiste. Këto të hyra publike nuk janë abstrakte. Këto të hyra nga buxheti i shtetit janë paga për mësuesit, për mjekët, investime në infrastrukturë, mbështetje për familjet dhe për bizneset. Pra, pyetja është shumë e thjeshtë: Për rritjen e çmimeve të naftës, i bartur nga inflacioni për shkak të krizave gjeopolitike, a jemi gati t’u themi qytetarëve se do të ulet mbështetja për familjet dhe bizneset dhe do të shkurtohen shërbimet publike për një masë që nuk garanton as ulje reale të çmimeve të produkteve të naftës?
Sepse le ta sqarojmë edhe këtë: Ne si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, me qeverisjen tonë, kemi ndërhyrë aty ku duhet. Kemi formalizuar tregun e naftës, kemi eliminuar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto janë masa që japin efekt real dhe afatgjatë“, tha Hajdari.
Ajo gjithashtu adresoi kritika ndaj qeverive të kaluara, duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje ka ndërmarrë hapat e duhur karshi kësaj çështjeje.
“Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë, në fillim të mandatit tonë qeverisës nga Lëvizja Vetëvendosje, ne u përballëm me një realitet të vështirë të trashëguar nga ju, qeverisjet e kaluara. Keqpërdorimi dhe korrupsioni kishin zënë vend thellë në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si në publik ashtu edhe në privat. Këto dukuri nuk ishin të rastësishme; ato ishin të lidhura ngushtë me interesa të ngushta, me grupe dhe monopole të afërta me politikën që për vite me radhë kishin penguar zhvillimin e tregut të lirë dhe konkurrencën e drejtë.
Gjatë pesë viteve të fundit dhe në vazhdim, ne kemi ndërmarrë hapa konkretë për të identifikuar dhe eliminuar këto praktika të dëmshme. Kemi punuar për të krijuar një ambient ku të gjitha bizneset kanë mundësi të barabarta, ku konkurrenca është e drejtë dhe ku zhvillimi ekonomik është i qëndrueshëm dhe në shërbim të qytetarëve. Një nga shembujt më domethënës i këtij transformimi është pra sektori i naftës. Për më shumë se një dekadë, ligji i naftës kishte mbetur në pritje për miratim. Arsyeja ishte e qartë: lidhjet e forta me interesat monopoliste që përfitonin nga mungesa e rregullimit të tregut dhe transparencës“, tha ajo.
