Nën patronatin e kryetarit të komunës së Vushtrrisë, u përurua libri “Po ku je, Ibrahim Rugova” nga shkrimtari Namik Selmani, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi kujtoi kohën kur ish-presidenti historik Ibrahim Rugova udhëhiqte me Kosovën në kushte të vështira.
“Dua të them se në pikë kthesën më të rrezikshme historike, kur Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës i kanosej një gjenocid, i ngjashëm me atë që ndodhi në vitin 1877 në Sanxhakun e Nishit, ku u boshatisën 720 fshatra dhe mbeti një territor plotësisht i zbrazur, e njëjta e priste edhe Kosovën. Ishin krijuar të gjitha parakushtet: ishin dëbuar nga puna punëtorët, ishin larguar nga uniforma policët, ishin çarmatosur nga mbrojtja territoriale, ishin uzurpuar shkollat, ishin uzurpuar universitetet.
Dhe sikur ky popull kishte mbetur vetëm në mëshirën e Zotit dhe priste një lider që do t’i printe. Ajo kohë nuk ishte privilegj për ta udhëhequr një shoqëri në një situatë dhe në katrahura të tilla. Timonin e drejtimit të popullit e mori një shkrimtar, filozof, atdhetar që edhe ashtu i kishte kundërvënë regjimit serb sa ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. E mori drejtimin e një lëvizje gjithëpopullore, pa dallim moshe, e quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës; dhe ne kemi nderin dhe privilegjin që pikërisht ky promovim i librit mbahet këtu ku u themelua edhe dega e parë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në nivel dege.
Sot i duhet shumë profili i liderit Ibrahim Rugova. Ishte njeri i qetë, ishte intelektual i thellë, ishte vizionar që me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tij, me mençurinë e tij, diti të depërtojë në arenën ndërkombëtare dhe t’i hapë dyert e diplomacive perëndimore në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në shtetin e Bashkuar. Sot vendi ynë ka nevojë për unitet. Ai ishte personi më unifikues. Përgjatë gjithë karrierës së tij politike, përgjatë gjithë intervistave të tij, asnjëherë nuk e kemi dëgjuar ta ketë ofenduar, ta ketë nënçmuar, ta ketë sharë dikë. Ai kishte synimin e qartë: çlirimin e popullit nga okupatori dhe krijimin e shtetit të Republikës së Kosovës”, tha Idrizi.
Ndërsa, ish-deputetja dhe shkrimtarja Flora Brovina tha se autori i librit, Namik Selmani është një mik i Kosovës nga Shqipëria i cili ka shkëputur fjalët më të bukura për presidentin Rugova.
“Motivi pse ndodhemi këtu sigurisht është një vëllai yni, i cili gjeti mundësinë dhe kohën që të vijë ta ndajë punën e vet, mesazhin e vet, ta shprehë dashurinë që ka për këtë pjesë të atdheut, pra për Kosovën, që asnjëherë nuk pushoi me fol për këtë pjesë sepse e ndjen me zemër. Ai është që nga Saranda, Namik Selmani, i cili për Kosovën ka thurur vargjet më të bukura. Në këtë rast ai ka përzgjedhur simbolin e paqes dhe presidentin e parë të Kosovës, qoftë në luftë, gjatë luftës, qoftë në paqe, Ibrahim Rugovën. Faleminderit që ndodhesh këtu në mesin tonë dhe së bashku do të marrim edhe librin aq të bukur që duket, por në brendi sigurisht ka edhe fjalët më të bukura që zgjedh poeti për kryetarin tonë.
Vushtrria nuk u zgjodh rastësisht, edhe për arsye se ajo është ndër qytetet më të lashta dhe në brendinë e vet ruan historinë e lashtë dhe të re. Ajo sot, sot në gurë themelin e saj, në urën simbolike, në kalanë, e ruan tolerancën për të treguar në anën tjetër se po ecën drejt zhvillimit. Dhe kjo është gjithashtu një mesazh i madh se Kosova nuk ka kohë të presë, ajo do të zhvillohet. Kujtoj se pikërisht është ky moment që së bashku ta dëgjojmë jo fjalimet tona, por të dëgjojmë fjalën e krijuesit për të cilin jemi mbledhur. Mirë se erdhe vëlla në Kosovë, mirë se erdhe në Vushtrrinë e lashtë dhe të re”, tha Brovina.
I përlotur autori i librit, Namik Selmani tha se shumicën prej librave ia ka kushtuar Kosovës.
“Më falni, burrat nuk qajnë, por gëzimi ta nxjerr pikën e lotit. Është një lot që nxjerr mirënjohje, mirënjohje e cila nuk paguhet me franga, as me karrige të pushtetit, as me tullë të zbukuruar dhe me dritë të fuqishme. Është një mirënjohje që hap një portë në Vushtrri, në këtë qytet ku ka aq shumë histori, aq shumë krenari, aq shumë dhimbje, aq shumë shpresë, por dhe aq shumë dashuri për njerëzit, për tokën, për atë që kemi kaluar dhe për atë që do të prekni në të ardhmen.
E nderuar zonja Bunjaku, i nderuari zoti Adnan Merovci, kur tribunat e historisë e vënë në provë Presidentin, kishin një tribunë tjetër, të padukshme, të heshtur, po po aq të fuqishme sa fjala e Presidentit. Edhe unë do të thosha se një pjesë e lartësisë së tij, e shpirtit të tij, e mendimit të tij, ju përket juve, dhe unë ndihem po aq i lumtur sa ju kam në krah.
E nderuar zonja Brovina, dikur nëpërmjet të trëndafilave të Elvet-Bariut, të freskimit, jemi takuar dhe aty keni qarë për Çamërinë time. Sot më vjen mua radha të qaj nga gëzimi që ju kam përbri.
I nderuari Ismail Qemali, një përtëritje e historisë që na bën po aq krenarë që ju kemi mes nesh dhe që jeni pjesë e një kalaje modeste për Ibrahim Rugovën. Një kala, kjo kalaja e Vushtrrisë është pak e çuditshme që një komb si ne, edhe në Bashtovë, dikush ka lindur në Bashtovë, Kavajë, ku është një breg deti, s’ka asnjë gur të ngrejë një kala. Nuk e di se ç’do të thonë të huajt, që në një kala mund të ngremë një kala në Krujë, mund të ngremë një kala në Dibër, në Mat, po jo në Bashtovë. Ndoshta për nga përqindja jemi vendi që kemi më shumë kala. Një kala mund të mos rrëzohet nëse heq një gur, kjo kalaja e Vushtrrisë, por nëse vë një gur më shumë, ajo bëhet më e fortë. Unë shpresoj që kam vënë një gur më shumë në kalanë e kujtesës, jo thjesht Ibrahim Rugovës, por të një historie të vërtetë.
Gjithmonë ditët e promovimeve kanë qenë dhe mbeten festa të vogla, festa të bukura, festa e librit, festa e shkronjave. Kemi qenë të uritur për liri, por jo më pak se për shkronja. Mbaj mend, në grupin e 78 librave të botuar, një pjesë të madhe të tyre unë ia kam kushtuar Kosovës. Unë vij nga Çamëria dhe ajo pjesa e gjakut të cilën e tha profesor Bedriu, është një thirrje, një thirrje e fuqishme, një thirrje që nuk ka nevojë për kontrata, për marrëveshje, për tendera. Nuk ka nevojë, është një tender që njeriu e vë brenda vetes”, tha Selmani.

