Deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi foli për rritjen e çmimeve të derivateve në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se rritja e vazhdueshme e çmimeve po kthehet në një barrë të rëndë për familjet, bizneset dhe ekonominë e vendit, duke theksuar se politika aktuale ka kontribuar në këtë situatë.
“Rritja e vazhdueshme e çmimit të derivateve nuk është thjesht një shpërthim në treg. Ajo po shndërrohet në një barrë të rëndë për familjet tona, për bizneset tona dhe për të gjithë ekonominë e vendit. Vitet e fundit, me qeverinë Kurti, qytetarët po përballen me vështirësi ekzistenciale, paga të njëjta, por edhe me shpenzime gjithnjë e më të larta të të gjitha produkteve dhe shërbimeve. Lidhur me këtë debat, është e qartë se politika aktuale e Albin Kurtit dhe qeverisë së tij kanë ndikim në këtë situatë të krijuar. Prandaj, përgjegjësia duhet të merret dhe të trajtohet me seriozitet maksimal nga kjo qeveri e shumicës.
Një gjë është e vërtetë: se duke parë këtë gjendje të rënduar, mendoj që tani nuk është koha për ndarje, nuk është koha për fajësime të pafundme, por është koha për veprime urgjente dhe që efektet të ndihen te qytetarët.
Një ndër hapat më urgjentë është shqyrtimi serioz i heqjes së akcizës dhe TVSH-së për derivatet. Kjo nuk është vetëm një kërkesë politike, por një nevojë e domosdoshme ekonomike dhe sociale për shtetin tonë.
Sot, një pjesë e madhe e çmimit të naftës që paguajnë qytetarët dhe bizneset, nuk vjen vetëm nga tregu ndërkombëtar, por edhe nga ngarkesa e lartë fiskale. Heqja, apo së paku ulja e përkohshme e akcizës dhe TVSH-së, do të sillte një lehtësim të menjëhershëm në çmimin e derivateve. Andaj, kjo do të reflektonte drejtpërdrejt në xhepin e qytetarëve, duke ulur kostot e përditshme të jetesës dhe panikun që po mbizotëronte tek ata“, tha ajo.
Sipas saj, ulja e çmimeve të derivateve do të reduktonte kostot e transportit dhe shërbimeve.
“Gjithashtu, ulja e çmimit të derivateve do të ndikonte në uljen e kostos së transportit dhe shërbimeve, që është një nga faktorët kryesorë në rritjen e çmimit të produkteve bazë dhe artikujve ditorë që përdoren nga banorët e Kosovës. Kjo, rrjedhimisht, do të ndihmonte në frenimin e inflacionit dhe në stabilizimin e tregut.
Në këtë kuptim, bizneset do të kishin frymëmarrje më të madhe financiare, ku me kosto më të ulëta operative, ato do të mund të ruanin çmimet, të shmangin humbjet dhe të mbanin vendet e punës“, theksoi Bytyqi.
