Mbahet tryezë e diskutimit me kryetarë të gjykatave për unifikimin e praktikës gjyqësore, me fokus në masën e paraburgimit

Prishtinë | 03 Pri 2026 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Me ftesë të kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, u mbajt një tryezë diskutimi me pjesëmarrjen e gjyqtarëve të degës penale të Gjykatës Supreme, kryetarëve të gjykatave, si dhe gjyqtarëve-udhëheqës të degëve penale nga gjykatat themelore dhe Gjykata e Apelit.

Përmes, një komunikate për media bëhet e ditur se fokusi i kësaj tryeze ishte trajtimi i çështjeve procedurale penale, me theks të veçantë në praktikën gjyqësore lidhur me caktimin dhe vazhdimin e masës së paraburgimit, si dhe standardet që duhet të respektohen në këtë proces.

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e respektimit strikt të afateve ligjore nga ana e prokurorive në paraqitjen e kërkesave për caktim dhe vazhdim të paraburgimit. U nënvizua detyrimi që kërkesat për vazhdim të paraburgimit të paraqiten brenda afatit prej pesë ditësh para skadimit të masës, në mënyrë që t’u mundësohet palëve kohë e mjaftueshme për paraqitjen e qëndrimeve të tyre, në përputhje me nenin 188 të Kodit të Procedurës Penale.

Po ashtu, u diskutua trajtimi i informacioneve të autoriteteve policore në raport me kërkesat për paraburgim, duke theksuar se këto kërkesa duhet të mbështeten në mënyrë të qartë në aktet dhe provat e siguruara nga prokurori, dhe jo vetëm në raporte policore.

Në këtë drejtim, u theksua obligimi i prokurorit që të sigurojë të dhëna të sakta nga evidencat përkatëse, përfshirë aktvendimin për fillimin e hetimeve dhe aktakuzën, si bazë për kërkesat për masa sigurie.

Kreu i Supremes, theksoi nevojën që kërkesat për paraburgim të përmbajnë arsyetime konkrete dhe specifike, ku shpjegohet pse masat alternative nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e pranisë së të pandehurit. Mangësitë në arsyetimin e shqiptimit të kësaj mase, sipas kryetarit Rexhepi, nuk janë analizuar vetëm nga Gjykata Supreme, por janë evidentuar edhe në raportet kredibile të organizatave që monitorojnë sistemin gjyqësor.

Ndaj, edhe kërkesa e udhëheqësit të degës penale të Gjykatës Supreme, gjyqtarit Agim Maliqi, ishte që gjykatat të arsyetojnë në mënyrë të qartë pse masat më të buta nuk janë të mjaftueshme, si dhe të paraqesin në mënyrë konkrete bazat e dyshimit dhe rrethanat e posaçme që justifikojnë caktimin e paraburgimit, pa u mjaftuar vetëm me parafrazim të dispozitave ligjore.

Në përfundim, u vlerësua se diskutime të tilla kontribuojnë në unifikimin e praktikës gjyqësore dhe në forcimin e standardeve të sundimit të ligjit në procedurat penale.

Të ngjashme