Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari ka deklaruar se projektligji për masat e përkohshme për produktet themelore në raste të destabilizimit të tregut, i njohur si projektligji për çmimet tavan, synon ndërhyrje të kufizuara dhe jo të përhershme në treg.
Ajo theksoi se disa elemente të projektligjit janë interpretuar gabimisht në diskursin publik, veçanërisht nga operatorët ekonomikë, duke sqaruar se bëhet fjalë vetëm për masa të përkohshme dhe të afatizuara, të cilat do të aplikohen për një listë të caktuar të produkteve bazë.
“Sot miratuam në Qeveri projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimet në treg, projektligj ky i njohur për publikun si projektligji për çmimet tavan, megjithatë disa elemente të cilat kanë vënë një diskurs nganjëherë jopozitiv në veçanti tek operatorët ekonomik lidhur me këtë projektligj, më lejoni që t’i sqarojë para jush, ky projektligj ka të bëjë me vendosjen e masave të përkohshme do të thotë nuk flasim për ndërhyrje në treg të mënjëhershme siç është synuar shumë shpesh të prezantohet, flasim për masa të përkohshme do të thotë të afatizuara dhe për listë të produkteve të caktuara, në veçanti te produktet themelore, të cilat të parat ndikojnë tek mirëqënia e qytetarëve dhe ndikojnë në ngritjen e kostos në shportën e konsumatorëve. Gjatë hartimit të këtij projektligji, siç tashmë e kemi bërë publike, janë marrë në konsideratë rekomandimet e dhëna nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjin paraprak, i cili ka konsideruar papajtueshmëri në tre nene të Kushtetutës: nenin 7, nenin 10 dhe nenin 119. Ky projektligj ka marrë përbazë këto rekomandime dhe tanimë përcakton dy lloje të ndërhyrjes apo dy lloje të masave të përkohshme: Caktimin e marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë. Si dhe caktimin e çmimit maksimal të lejuar, gjithmonë në raport me listën e produkteve e cila miratohet nga një bord i veçantë. Thënë këtë, sa i përket vendimmarrjes, ashtu siç është kërkuar edhe në aktgjykim apo është specifikuar në momentin kur janë shpallur disa dispozita jo në përputhje me Kushtetutën, ka qenë vendimmarrja në raport me përcaktimin e çmimeve dhe listën e produkteve. Projektligji i ri i miratuar sot në Qeveri për t’u proceduar në Kuvend, parasheh themelimin e një bordi të pavarur për masat e përkohshme për rregullimin e çmimeve, i cili propozohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, por miratohet nga Kuvendi i Republikës, rrjedhimisht edhe i raporton Kuvendit të Republikës. Në projektligj janë përcaktuar gjithashtu edhe kushtet për emërimin e anëtarëve të këtij bordi, kompetencat, si dhe procesi i vendimmarrjes. Ky projektligj synimin bazë e ka ruajtjen e interesit të konsumatorit në dritën e ndryshimit të shpejtë të çmimeve, në veçanti me normën më të lartë të rritjes së çmimeve të produkteve bazë sesa norma e inflacionit. Gjatë hartimit janë konsultuar, gjithashtu janë ftuar në tryezë konsultative, përfaqësuesit e odave ekonomike, asociacioneve të biznesit, përfaqësues gjithashtu të operatorëve ekonomikë të cilët merren me prodhimin apo tregtimin e produkteve bazë, si dhe përfaqësues nga shoqatat për mbrojtjen e konsumatorit dhe shoqëria civile”, tha Kusari.
