Një aksident tragjik ajror ka ndodhur në Brazil, ku katër persona kanë humbur jetën pasi një avion privat u rrëzua mbi një restorant në qytetin Capao da Canoa.
Sipas autoriteteve lokale avioni i tipit Piper, me një motor të vetëm, kishte në bord dy pilotë dhe dy biznesmenë, të cilët kanë vdekur si pasojë e aksidentit, ka bërë të ditur departamenti i zjarrfikësve, transmeton Klankosova.tv.
Sipas të dhënave paraprake, aksidenti ndodhi rreth orës 10:40 të mëngjesit (ora lokale), kur avioni, i cili ishte nisur drejt Ibitinga në Sao Paulo, u rrëzua në rrethana ende të paqarta mbi një restorant që ishte i mbyllur në momentin e ngjarjes.
Raportimet e mediave lokale bëjnë të ditur se avioni po fluturonte në lartësi të ulët në momentin e përplasjes, ndërsa shkaqet e sakta të aksidentit mbeten ende nën hetim.
Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar edhe disa ndërtesa përreth, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar.