Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999” ka përmbajtur pasaktësi si rezultat i interpretimit të gabuar të të dhënave, tha drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, duke theksuar nevojën për verifikim të kujdesshëm të burimeve para publikimit të tyre, raporton Ekonomia Online.
Blakaj tha se problemet kanë ardhur nga përdorimi i pasaktë i listave ekzistuese pa analizë të thellë të të dhënave dhe kontekstit të tyre.
“Mendoj që po, në ekspozitë ka pasaktësi, mendoj që është lexu në mënyrë të gabume një listë e Fondit për të Drejtën Humanitare. Ne e kemi një listë të përgjithshme që përmban 13,548 emra dhe sigurisht në mesin e të dhënave që gjenden në atë listë është edhe statusi i personave të vrarë apo të zhdukur. Pra, nëse kanë qenë civilë apo pjesëtarë të UÇK-së apo të forcave të tjera. Kjo është shumë e rëndësishme për atë rekordin historik edhe për pranimin e kontributit që e kanë dhënë ata edhe është e rëndësishme edhe për familjet e personave që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së dhe janë vrarë, që të figurojnë si të tillë. Mirëpo shfrytëzimi i asaj liste pa ndonjë njohuri më të thellë, është problematike dhe sjell te këto probleme siç ishte problemi me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 98-99″. Mendoj që kjo do të duhej të jetë një alarm për të gjithë neve që merremi me trajtimin e së kaluarës që çdo gjë që bëhet publike, që publikohet, qoftë raporte, publikime, libra e ekspozita, që të jemi shumë të kujdesshëm dhe të sigurohemi që paraprakisht i kemi konsultu të gjitha burimet dhe që kemi narracion prapa listave dhe numrave. Nëse shërbehemi vetëm me numrat e viktimave dhe me lista të caktuara, atëherë gjithmonë ekziston rreziku që të vijmë në këso situata”, tha ai.
Ai theksoi se, përkundër angazhimit të shoqërisë civile dhe familjarëve të viktimave, institucionet ende nuk kanë arritur të krijojnë një listë të plotë dhe të saktë të të vrarëve gjatë luftës.
“Mendoj që një punë e kanë bërë edhe shoqatat e familjarëve të viktimave edhe pse në nivel lokal, në komuna të caktuara, mirëpo edhe shoqëria civile sigurisht që ka bërë një punë të madhe. Mirëpo institucionet nuk është që kanë bërë një punë të tillë dhe nuk ekziston një listë e saktë. Ekziston lista e personave të zhdukun, e cila është e saktë, është e pranume nga dy palët, pra edhe nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukun i Kosovës, gjithashtu i Serbisë. Ajo listë është e saktë, mirëpo janë mijëra të tjera viktima të cilat nuk janë të zhdukun, pra personat e vrarë, dhe për ta nuk besoj që ekziston një listë e saktë. Sigurisht Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës, një institucion, një agjenci e cila është themeluar para më shumë se dy viteve, e ka pasur kohën e shkurtër deri tani që të hartojë një listë të tillë. Duhet nënvizu edhe një herë, është shumë e rëndësishme që prapa listave, kushdo që i harton ato, qofshin institucionet e shtetit apo shoqëria civile, duhet me ekzistu narracioni. Pra rrëfimet. Nëse lista nuk mbështetet në deklarata të dëshmitarëve apo në burime të tjera që ofrojnë një narracion, atëherë gjithmonë mund të marrim, të rrezikojmë që të kemi gabime”, tha ai.
Sipas tij, institucionet duhet të fuqizojnë metodologjitë shkencore në trajtimin e dokumentacionit për viktimat e luftës.
“Mendoj që meqenëse është krijuar ky institut duhet me u fuqizua edhe duhet me u qëndrua në metodologji shkencore mbrapa. Është e rëndësishme që kur të mblidhen dokumentacionet për viktimat e luftës, ato të përpunohen. Të futen në një softuer të posaçëm ku është shumë më e lehtë mandej të analizohen. Pa përpunimin e të dhënave vetëm mbledhja e dokumentacionit, qoftë edhe digjitalizimi i saj nuk mjaftojnë. Ato duhet me u përpunuar. Pra secili dokument të lexohet, të analizohet me kujdes dhe nga ato të krijohet lista dhe sigurisht rrëfimet mbi të kaluarën”, tha ai.
Blakaj foli edhe për rëndësinë e memorializimit, duke theksuar se ai duhet të bazohet në fakte të verifikuara dhe jo në interpretime të pasakta.
“Ne para disa viteve kemi nxjerrë një raport mbi memorializimin në Kosovë, pra mbi memorialet që shënojnë periudhën e luftës në Kosovë, edhe realisht gjetjet janë goxha skeptike sepse po që ka memoriale, të cilat janë ngritur shpesh apo në të shumtën e rasteve me iniciativa individuale të familjeve të viktimave edhe me mjete financiare private, pa ndonjë mbikëqyrje urbane, pa ndonjë planifikim të caktum. Është e rëndësishme, memorializimi është shumë i rëndësishëm për me kriju qat kujtesën kolektive. Mirëpo ajo duhet gjithmonë me u bazu në fakte. Duhet me u shmang kudo që është e mundshme gjuha e urrejtjes në memoriale apo paraqitja jo e saktë e fakteve. Kjo është shumë e rëndësishme, komunat po që kanë një rol të rëndësishëm, mirëpo në raste të vogla, në raste të pakta kisha me thënë, janë ngritur memorialet nga komuna. Kështu që me rëndësi është siç e thashë që çdo memorial që ngrihet, çdo ekspozitë, çdo vepër, edhe veprat e artit që i shërbejnë memorializimit të së kaluarës, me të vërtetë duhet me u bazu në provat e konfirmuara, përndryshe mund të krijojnë edhe pakënaqësi te familjarët e viktimave, te komuniteti në përgjithësi dhe te qytetarët”, tha ai.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka intervistuar Shkëlzen Gashin nën dyshimet për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, në kuadër të hetimeve për këtë ekspozitë që ishte vendosur në sheshet e Prishtinës dhe më pas u largua nga autoritetet lokale.
Ekspozita u largua nga Komuna e Prishtinës ndërkaq, Kuvendi i Kosovës, që kishte financuar një pjesë të ekspozitës të organizatave joqeveritare INTEGRA dhe ADMOVERE, tha se organi ligjvënës mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, por kjo mbështetje jepet “pa ndërhyrë në përmbajtje të projekteve të tilla”.
“Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”, u tha në reagimin e Kuvendit më 27 mars.
Ekspozita u prezantua në javën e shënimit të 27-vjetorit të nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.
