Spektakël në “Metropolitano”, përplasen dy gjigantët e La Ligës

Prishtinë | 04 Pri 2026 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Sonte në orën 21:00, e gjithë vëmendja e futbollit spanjoll kthehet në Madrid, ku Atletico Madrid pret Barcelonën në një përballje të zjarrtë të La Ligës. Një duel me histori, rivalitet dhe shumë peshë për renditjen.

Barcelona vjen në këtë ndeshje si lider i kampionatit, ndërsa Atletico Madrid pozicionohet në vendin e katërt dhe kërkon pikë jetike për zonën Champions.

Historia flet për katalanasit. Në përballjet direkte ndër vite, Barcelona ka dominuar dukshëm me më shumë fitore, ndërsa Atletico ka mbetur prapa në bilanc. Vetëm në një seri prej rreth 50 ndeshjesh, Barça ka mbi dyfishin e fitoreve krahasuar me madrilenët.

Ndërsa në statistikat e përgjithshme historike, këto dy skuadra janë përballur mbi 200 herë, me Barcelonën që ka avantazh të qartë, shkruan Klankosova.tv.

Sa i përket formacioneve dhe mungesave, Barcelona ka disa probleme të rëndësishme. Frenkie de Jong, Raphinha dhe Christensen mungojnë për shkak dëmtimesh, çka dobëson mesfushën dhe mbrojtjen e ekipit.

Nga ana tjetër, Atletico Madrid do të luaj pa Llorente dhe Cardoso të suspenduar, kurse mungojnë edhe portieri Oblak dhe Mendoza, me pikëpyetje edhe të Pubill dhe Sorloth.

Në fushë pritet spektakël. Atletico me stilin e tij të fortë dhe kundërsulmet e shpejta përballë Barcelonës që kontrollon lojën dhe kërkon dominim total.

Të ngjashme