Përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir-Saeid Iravani, ka paralajmëruar se Teherani nuk do të “qëndrojë duarkryq” përballë atyre që i cilësoi si kërcënime për krime lufte nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Deklarata u bë gjatë një seance të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e fokusuar në sigurinë dhe lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, ku diplomati iranian iu referua deklaratave të bëra të martën e kaluar nga kreu i Shtëpisë së Bardhë. Trump kishte paralajmëruar se “një qytetërim i tërë do të vdesë” nëse Irani nuk pranon të arrijë një marrëveshje me Uashingtonin.
Sipas ambasadorit Iravani, kjo retorikë alarmante “përbën nxitje për krime lufte dhe potencialisht gjenocid”. Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë dhe kritikojë hapur deklaratat e presidentit amerikan, përpara se situata të përshkallëzohet më tej.
“Irani nuk do të qëndrojë duarkryq përballë krimeve të tilla të rënda të luftës,” theksoi ai para Këshillit të Sigurimit.
“Ai do të ushtrojë, pa hezitim, të drejtën e tij të lindur të vetëmbrojtjes dhe do të marrë masa reciproke të menjëhershme dhe proporcionale.”