Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe ai i Historisë “Ali Hadri”, kanë organizuar tryezë shkencore me titullin “Trashëgimia demaçiane- vlerë unike kombëtare” kushtuar veprimtarit të njohur Adem Demaçi, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij.
Nga kjo tryezë u vlerësua kontributi i Demaçit, raporton Ekonomia Online.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Fadil Grajqevci foli për arsyen e organizimit derisa theksoi se trashëgimia e Demaçit duhet të rikthehet.
“Synimi i organizimit të së cilës merr shkas në 90-vjetorin e lindjes së Adem Demaçit, është edhe një përpjekje më shumë për të sjellë kontribute të reja shkencore, si dhe për të njohur sa më mirë trashëgiminë që na ka lënë kjo figurë me ndikim të madh në lëvizjet më të rëndësishme politike, shoqërore e kulturore të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe në dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XXI të shqiptarëve. Në veçanti, të shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve politikë të Shqipërisë — atyre të mbetur nën sundimin e ish-Jugosllavisë.
Para dhjetë vjetësh, kur në mesin tonë Bacën Adem e kishim edhe fizikisht, po këto dy institute kërkimore-shkencore, së bashku edhe me Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës, për ta nderuar jetën dhe veprimtarinë e tij të çmueshme atdhetare dhe intelektuale, në 80-vjetorin e lindjes së tij, patën organizuar konferencën shkencore ‘Vepra atdhetare e intelektuale e Adem Demaçit’. Në të cilën qenë paraqitur 37 kumtesa dhe 7 diskutime, përmes të cilave u patën nxjerrë në pah disa nga dimensionet e veprimtarisë së tij si: Dimensioni politik e atdhetar, Dimensioni i kontributit programatik për organizimin e lëvizjes kombëtare, Dimensioni i simbolit të qëndresës sonë kombëtare, Dimensioni frymëzues në luftën çlirimtare dhe përfaqësimit të saj politik në njërën anë, Dimensioni i rëndësisë së kontributit të tij krijimtar si shkrimtar — pra tregimtar, romancier, poet, dramaturg, përkthyes letrar, eseist, opinionist, polemist dhe publicist. Tash kur Bacën Adem nuk e kemi fizikisht në mesin tonë dhe veprimtaria e tij intelektuale është e përmbyllur, pra tash në një kontekst të ri, mbetet detyrë e studiuesve të fushave të ndryshme të dijes dhe shkencës t’i kthehen kësaj trashëgimie që na ka lënë kjo figurë nga më të rëndësishmet e historisë sonë të re. Me të drejtë është thënë nga studiues të shumtë të jetës dhe veprës së Adem Demaçit, se pa emrin e tij nuk mund të shkruhet e as të mësohet historia e re e Kosovës”, tha ai.
E, Grajçevci pati kritika ndaj partive politike duke iu drejtuar që si shembull të merret veprimtaria e Demaçit.
“Sikur krerët e partive tona politike, të përzgjedhurit tanë në Kuvendin e Kosovës, sikur ta njihnin, ta respektonin dhe vlerësonin jetën dhe veprën e Adem Demaçit ashtu siç e meriton, nuk do të kishim pasur nevojë t’i drejtoheshim kaq shpesh Gjykatës Kushtetuese sa po i drejtohemi kohëve të fundit. Dhe qytetarët e Republikës së Kosovës nuk do t’u drejtoheshin kaq shpesh kutive të shtrenjta të votimit, të cilat duke mos prodhuar ndryshime të mëdha, po na sjellin në një rreth vicioz“, shton ai.
Drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri“, Teuta Shala-Peli thekson se qëndresa e Demaçit ishte simbol i rezistencës.
“Figura e Adem Demaçit zë një vend të veçantë në historinë politike, shoqërore dhe kulturore jo vetëm të Kosovës, por të tërë hapësirës shqiptare. Ai ishte një intelektual i përkushtuar, një shkrimtar vizionar dhe mbi të gjitha një veprimtar i palodhur për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve. Qëndresa e tij e gjatë në burgjet e ish-Jugosllavisë e bëri atë simbol të rezistencës dhe të sakrificës për idealin e lirisë.
Prandaj, organizimi i kësaj tryeze shkencore ka një rëndësi të veçantë. Ajo synon që përmes qasjeve studimore dhe diskutimeve akademike të analizojë dhe të ndriçojë në mënyrën më të plotë dimensionet e ndryshme të veprimtarisë së Adem Demaçit si veprimtar politik, si intelektual dhe si simbol i qëndresës për liri“, tha ajo.
Ndërsa prof.dr., Hysen Matoshi thotë se Demaçi ishte zëri i qytetarëve të vendit.
“Megjithatë, në një perceptim të përgjithshëm, kam bindjen se vepra e tij dhe sidomos veprimtaria e tij shumëplanëshe nuk është prezantuar në nivelin e duhur të vlerave dhe jo sidomos sa i përket ndikimit që pati në rrjedhojat e përgjithshme të zhvillimit historik. Kjo bindje e imja ka ndodhur për shkak të një mendësie mbizotëruese në jetën tonë shoqërore që njëjtëson personalitetin e shquar historik me autoritetin e veshur me pushtetin e ushtruar për një kohë të caktuar. Adem Demaçi nuk mori përgjegjësi sipërore pushteti. Hiç faktin se për një kohë të shkurtër ishte drejtor i bordit të RTK-së, nga i cili post ndodhi një përgjegjësi minore, të cilën e braktisi. Ndryshe nga të tjerët të sferës së bllokut socialist, të cilët, qoftë edhe duke trilluar njëfarë disidence latente, shijuan ëmbëlsinë pushtetare, Adem Demaçi vendosi që të mbetej një përfaqësues sui generis i zërit të popullit; deshi të mbetet zëri politik korrektues i shoqërisë dhe i kombit në disa raste, i cili për veprimet dhe pikëpamjet e tij krejtësisht unike nuk i dha llogari asnjë lideri dhe asnjë tarafi politik”, tha ai.
Për rolin e Demaçit në përfaqësimin politik dhe masivizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, foli prof.dr., Arbër Hadri.
“Nën patronatin e studentëve të Prishtinës, veprimtaria e Adem Demaçit në historinë më të re politike të shqiptarëve përfaqëson simbolin e lëvizjes kombëtare për çlirim kombëtar, rezistencës të pathyeshme, artikullimin ideologjik kombëtar dhe përfaqësimin politik të tij, duke e bërë atë një nga figurat më të larta në formësimin e projektit për çlirim dhe bashkim kombëtar gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.
Veprimtaria e tij tejkalon dimensionin e rezistencës individuale dhe shtrihet në organizimin e një lëvizjeje politike kombëtare, e cila synonte jo vetëm mobilizimin e popullit shqiptar kundër okupimit jugosllav dhe më pas aparteidit serb, por edhe ndërtimin e një vetëdije kolektive mbi të drejtën e vetëvendosjes si parakusht për realizimin e barazisë dhe lirisë.
Në kontekstin e tematikës që trajtojmë, kontributi i Adem Demaçit në procesin e masivizimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet analizuar në tre dimensione të ndërlidhura: 1. Legjitimimin politik të luftës. 2. Mobilizimin shoqëror dhe ngritjen e një ushtrie të fuqishme që do t’i bënte ballë armikut serb. 3. Përfaqësimin politik të qëndrimit të UÇK-së në skenën politike të Kosovës, atë kombëtare dhe veçanërisht në planin ndërkombëtar. Duke u mbështetur në burimet e kohës, deklaratat publike dhe analizat e kontekstit historik, argumentohet se roli i Demaçit ishte i një rëndësie të veçantë, duke u shndërruar në një faktor strukturor në konsolidimin e UÇK-së në aspektin ushtarak dhe mobilizimin mbarëkombëtar për luftën e drejtë të saj.
Në fund të viteve 1990, Kosova ishte në një situatë të thellë krize politike dhe institucionale. Sistemi i okupimit të aparteidit serb ndaj popullit shqiptar, fragmentarizimi i skenës politike shqiptare dhe mungesa e një strategjie të përbashkët përballë politikave represive të regjimit të Beogradit, krijuan një vakum që kërkonte forma të reja të organizimit të rezistencës. Në këtë kontekst, UÇK-ja filloi të shfaqej si një aktor i ri, i cili gradualisht kaloi nga një strukturë e fshehtë në një forcë ushtarake me prezencë të hapur ushtarake dhe politike. Megjithatë, ky transformim kërkonte një bazë më të gjerë legjitimiteti dhe mbështetjeje shoqërore, e cila nuk mund të ndërtohej vetëm përmes veprimeve ushtarake. Në këtë kuadër, figura e Demaçit, e cila përfaqësonte një kapital të akumuluar moral dhe politik gjatë dekadave të rezistencës, ishte i një roli të veçantë për rezistencën e armatosur dhe masivizimin e saj. Veprimtaria e tij e hershme në organizatat e fshehta që synonin çlirimin dhe bashkimin kombëtar, kishte kontribuar në ndërtimin e një diskursi të qëndrueshëm politik që sfidonte drejtpërdrejt legjitimitetin e pushtetit okupues serb“, tha Hadri.
Adem Demaçi ka vdekur në moshën 82 vjeçare.
Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe ka luftuar për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.
Për angazhimin e tij politik për çështjen e Kosovës, Adem Demaçi vuajti 28 vjet burg në burgjet e Jugosllavisë.
Ai është quajtur “Nelson Mandela” i Europës.

