Haxhiu: Shëndetësia ka pësuar regres, qytetarët po detyrohen t’i blejnë vetë barnat

Prishtinë | 31 Maj 2026 | 09:10 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kritikuar gjendjen në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, duke akuzuar qeverinë aktuale për dështime të mëdha gjatë gjashtë viteve të fundit.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Haxhiu tha se qytetarët sot përballen me mungesë të barnave, lista të gjata të pritjes dhe shërbime më të dobëta shëndetësore sesa vite më parë.

Ai tha se sistemi shëndetësor jo vetëm që nuk ka përparuar, por sipas tij, ka pësuar regres të thellë.

“Mund të them që sot shëndetësia, pas gjashtë viteve të kësaj qeverisjeje, nuk ka bërë hapa përpara, mirëpo ka regres. Lista e pritjes së qytetarëve për të marrë shërbime shëndetësore është rritur, abuzimet me barna janë rritur edhe më shumë, dhe ligji i cili mendojmë se do të rregullonte çmimet e barnave, ka bërë favorizime për kompanitë e lidhura me grupet e interesit brenda Ministrisë së Shëndetësisë”, deklaroi Haxhiu.

Ai përmendi edhe problemet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke thënë se mungesa e sigurisë dhe prania e qenve endacakë vazhdon të jetë shqetësim serioz për pacientët dhe stafin mjekësor.

“Çfarë mund të themi për këtë gjashtëvjeçar të kësaj qeverie në shëndetësi? Mund të themi lirshëm se për gjashtë vjet nuk kanë qenë në gjendje as qentë endacakë t’i largojnë nga oborri i QKUK-së, e lëre më që të ofrojnë shërbime më të mira shëndetësore. Dhe për pasojë, e dini që janë rrezikuar pacientët edhe stafi shëndetësor. Dhe sot, stafi shëndetësor në orët e kujdestarisë detyrohen me lëviz me makinë nga një klinikë në klinikën tjetër për shkak të rrezikut nga qentë endacakë”, u shpreh ai.

Sipas Haxhiut, gjendja e rëndë në sistemin shëndetësor ka ndikuar edhe në largimin e profesionistëve shëndetësorë nga Kosova.

“Pra, ata që e kishin gojën plot shëndetësi, nuk kanë arritur që ta përmirësojnë sektorin, mirëpo e kanë përkeqësuar edhe më shumë. Qytetarët sot me të drejtë pyesin: a kanë sot shërbime më të mira shëndetësore, apo kishte para gjashtë viteve? A ka ndonjë përmirësim? Jo! Çfarë është motivimi i stafit shëndetësor? Pra, është nën zero, sepse kemi mbi 3,200 profesionistë shëndetësorë që kanë ikur nga Kosova në qeverisjen e Kurtit”, tha ai.

Duke folur për furnizimin me barna dhe ankesat e vazhdueshme të pacientëve, Haxhiu tha se situata është më e keqja ndër vite.

“Furnizimi me barna është më i keqi që ka qenë ndonjëherë. Ndonëse është rritur buxheti për barna, është rritur edhe mungesa. Kjo na tregon se kemi të bëjmë me abuzim me blerjen e barnave, të cilat blihen me çmime të larta dhe, për pasojë, ka mungesë të barnave. Edhe kjo ka krijuar vështirësi për shumë pacientë dhe familjarë të tyre që detyrohen ato barna t’i blejnë nga buxheti i tyre”, deklaroi ai.

Ai prezantoi edhe disa nga zotimet e PDK-së për sektorin e shëndetësisë, duke përmendur rimbursimin e barnave dhe digjitalizimin e sistemit.

“Me Partinë Demokratike, me programin tonë për shëndetësi, kemi paraparë domethënë rimbursimin e barnave, i cili vërtet do të ndihmonte qytetarët, dhe sigurimin 100% të listës esenciale të barnave, e cila duhet të rishikohet dhe të jetë e bazuar në protokolle klinike. Do ta bëjmë digjitalizimin e sektorit të shëndetësisë, pra platformën ‘E-Pacienti’ dhe ‘E-Recepta’, dhe pacienti nuk do të ketë nevojë që kur të shkojë në barnatore ta nxjerrë kuletën e tij, mirëpo me kartelë digjitale të sigurimeve shëndetësore t’i marrë barnat për të cilat ka nevojë”, tha Haxhiu.

Ai komentoi edhe ligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, i votuar në Kuvend gjatë muajit prill, duke e cilësuar atë si të paimplementueshëm.

“Mbas dështimit gjashtëvjeçar në sektorin e shëndetësisë, ashtu siç ka bërë gjatë këtyre gjashtë viteve qeverisja Kurti, në fund përpiqet me e mashtru qytetarin me një ligj, i cili në formën siç është miratuar është i paimplementueshëm sepse duhet dhjetëra rregullore administrative me rregullu atë ligj. Nuk e kanë pasur qëllimin me i implementu sigurimet shëndetësore sepse për gjashtë vjet s’kanë bërë bash asnjë gjë për sigurimet shëndetësore”, deklaroi ai.

Haxhiu tha se mënyra se si është proceduar ligji tregon, sipas tij, mungesë serioziteti nga ana e qeverisë.

“Kjo është më shumë farsë e kësaj qeverie, ashtu siç ka bërë çdo herë, që përmes propagandës edhe mashtrimit po bëhen përpjekje që me e mbulua dështimin gjashtëvjeçar në sektorin e shëndetësisë”, shtoi ai.

Të ngjashme