Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka paraqitur qëndrimet e tij lidhur me versionin aktual të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili është proceduar për shqyrtim në Kuvend, raporton Ekonomia Online.
Gjatë konferencës, KDI theksoi se forcimi i mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është një hap i domosdoshëm në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, një reformë e tillë duhet të ndërtohet mbi parime të qarta kushtetuese, siguri juridike dhe respektim të të drejtave themelore, në mënyrë që të jetë e zbatueshme dhe e qëndrueshme në praktikë.
“Sot këtu bashkë në lidhje me ligjin për Byronë Shtetërore, përkatësisht ligjin për projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Është një ndër projektligjet më të komentuar në Kosovë. Është miratuar fillimisht nga Kuvendi i Kosovës, pastaj është kthyer nga Gjykata Kushtetuese dhe tash së fundmi prapë i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, por i kthyer prapë nga Gjykata Kushtetuese në mungesë të plotësimit të procedurave nga vetë Kuvendi i Kosovës. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) sot në mëngjes i ka dërguar tek secili deputet i Kuvendit të Kosovës nga një letër, përmes së cilës i kemi shprehur shqetësimet tona në lidhje me ato pak mangësi që i ka ligji, e për të cilat kishim dashur që Kuvendi i Kosovës t’i hapë dhe t’i diskutojë me shoqërinë civile, me të gjithë akterët, përfshirë edhe institucionet e drejtësisë: KPK, KGJK, gjykatat, prokuroritë, po ashtu edhe institucionet tjera relevante. Çka është më e rëndësishmja, ne e vlerësojmë shumë që Kuvendi i Kosovës po bën edhe një përpjekje për të vazhduar reformën në drejtësi dhe ligji për Byronë është një ndër ligjet më të rëndësishme të reformës në drejtësi”, tha Florent Spahija nga KDI.
Ndonëse KDI e përkrah parimisht idenë e konfiskimit civil dhe vetë Byronë si mekanizëm, vlerëson se versioni aktual i projektligjit nuk i adreson në mënyrë të plotë gjetjet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese (KO46/23) dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, duke lënë hapësirë për paqartësi dhe rrezik për cenim të të drejtave kushtetuese.
“Ne konsiderojmë që Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj paraprak, por edhe Komisioni i Venecias me opinionet e saj, ka jep udhëzime të qarta se si duhet të veprohet. Konsiderojmë dhe i bëjmë thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta respektojë dhe t’i implementojë të gjitha rekomandimet që kanë qenë nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias. Duhet me patjetër të kemi një proces të mirëfilltë gjithëpërfshirës të konsultimit publik dhe në këtë proces të përfshihen të gjithë. Është po ashtu e rëndësishme që Kosova të ketë një ligj të tillë, por të jetë një ligj i cili nuk shkel të drejtat e asnjë qytetari dhe një ligj i cili respekton parimet që i përcakton kushtetuta jonë”,tha tutje Spahija.
Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) ngriti shqetësime për dy çështje thelbësore. Së pari, lidhur me vlefshmërinë kohore të verifikimit të pasurisë, ku përcaktimi i periudhës që nga viti 2008 krijon pasiguri juridike dhe bie ndesh me standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese.
“Ne si KDI vlerësojmë se ky projektligj s’duhet të ndryshojë dhe të harmonizohet me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ne besojmë që dispozita e nenit 2 të këtij ligji përcakton vlefshmërinë kohore përtej afatit ose maksimumit të afatit kohor që ka gëzuar Gjykata Kushtetuese me rastin e vlefshmërisë në kohë të justifikimit ose edhe të verifikimit, hetimit të pasurisë së pajustifikueshme. Në nenin 2, ligji i propozuar përcakton periudhën që pasuria e pajustifikuar mund të hetohet apo mund të verifikohet kurdo nga data 17 shkurt 2008, pra që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Prandaj në këtë aspekt, ne besojmë që kjo i tejkalon gjetjet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk është afati siç është i përcaktuar tani në ligj, nuk është në përputhje me gjetjet kryesore të Gjykatës Kushtetuese, sepse Gjykata nuk ka lejuar që periudha e verifikimit të pasurisë së pajustifikueshme të jetë më e gjatë se 10 vite. Dhe kjo është për arsye se ligjet aktuale në Kosovë nuk lejojnë që më shumë se 10 vite të ruhen arkivore dokumentet, qoftë në Bankën Qendrore, qoftë në bankat e Republikës së Kosovës, qoftë edhe nëpër institucionet e tjera”, tha ai.
Po ashtu, KDI theksoi mungesën e një procesi të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës të konsultimit publik për këtë version të projektligjit, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe legjitimitetin e reformës.
Në këtë kontekst, KDI i ka dërguar një letër të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës me qëndrimet dhe rekomandimet për përmirësimin e projektligjit, si dhe së shpejti do të përgatisë dhe publikojë një hulumtim parlamentar për këtë çështje.
KDI i bën thirrje Kuvendit që shqyrtimi i këtij projektligji të shoqërohet me debat të hapur, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në standarde kushtetuese dhe evropiane, në mënyrë që të shmangen zgjidhje që mund të rezultojnë të paqëndrueshme apo të kontestueshme në praktikë.

