Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj heqjes së logos zyrtare të Presidencës së Kosovës nga profili në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe shqetësues.
Përmes një postimi publik, Selmanaj ka ngritur pyetjen se kujt po i pengon logoja zyrtare e institucionit më të lartë shtetëror.
“Mosrespektimi i logos zyrtare të Presidencës së Republikës së Kosovës është i papranueshëm dhe shqetësues. Heqja e logos zyrtare të presidencës në profilin zyrtar në rrjetet sociale, nuk është një detaj i vogël teknik, por një veprim i qëllimshëm kundër simboleve shtetërore të cilat mbrohen me ligj”, ka shkruar ai.
Ai theksoi se institucionet nuk kanë të drejtë të anashkalojnë elementet që përfaqësojnë identitetin shtetëror.
“Institucionet nuk kanë të drejtë të improvizojnë apo të anashkalojnë elementet që përfaqësojnë identitetin institucional të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Selmanaj.
Në reagimin e tij, ai përmendi edhe ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, duke e lidhur ndryshimin me veprimet e saj në menaxhimin e faqes zyrtare.
“Edhe pse Albulena Haxhiu është vetëm ushtruese e detyrës së Presidentes, ajo menjëherë është kujdesur për pamjen e faqes zyrtare në rrjetet sociale, duke e hequr nga profili logon zyrtare të presidencës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Selmanaj ka vlerësuar se injorimi i logos së dizajnuar në kohën e Ibrahim Rugova përbën cenim të trashëgimisë shtetformuese.
“I papranueshëm është injorimi i logos së dizajnuar në kohën e Presidentit Historik Ibrahim Rugova, e cila nuk është vetëm një element grafik, por një pjesë e trashëgimisë shtetformuese dhe simbolikës së Republikës sonë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, një qasje e tillë krijon precedent dhe dëmton besimin në institucionet shtetërore.
“Respektimi i simboleve nuk është opsion, është obligim ligjor. Institucionet duhet të jenë shembull në ruajtjen e rendit, identitetit dhe dinjitetit shtetëror”, ka shtuar Selmanaj.