Dorëzimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nga Partia Demokratike e Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka zënë vend për diskutim edhe në Komisionin Evropian.
Gazetari që vepron në Bruksel, Ekrem Krasniqi, ka pyetur zëdhënësin Christian Wigand nëse Komisioni ka krijuar një opsion lidhur me mundësinë nëse Dhomat e Apelit të gjykatës urdhërojnë rigjykimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre të tjerëve, e rasti të ndiqet dhe të mbahet në gjykatat e Kosovës në Prishtinë.
Në përgjigjen e tij, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Christian Wigand, tha se nuk komentojnë mbi njoftimet ose planet si të tilla.
“Të themeluara me vendim të Kuvendit të Kosovës në 2014, 2015, duke vepruar brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe punën e të cilave BE-ja e ka mbështetur vazhdimisht. Puna e saj është e rëndësishme për sigurimin e llogaridhënies, duke u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës. Dhe siç e kam theksuar këtu edhe më parë, personat e dënuar në aktgjykimin e shkallës së parë sigurisht që kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit në një panel të veçantë të apelit të Specializuar të Kosovës. Por përsëri, mendoj se mbështetja jonë për Dhomën është e qëndrueshme dhe do të mbetet e tillë”, tha ai.
I pyetur po ashtu nëse Prokuroria mund të ndjekë penalisht të gjitha krimet e pretenduara të luftës gjatë periudhës, ‘98-’99, Wigand tha përgjigje të shkurtër.
“Shiko, unë mund të kujtoj përsëri vetëm atë që kam thënë këtu më parë, që për aktgjykimin e shkallës së parë, BE-ja mban shënim që Dhomat e Specializuara të Kosovës po japin drejtësi duke zhvilluar procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale. Dhe përsëri që sigurisht personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë çdo aktgjykim të tillë. Kështu që mendoj se do ta lë me kaq, nuk ka asgjë për të shtuar”, u përgjigj ai, transmeton Klankosova.tv.Megjithatë ai nuk pati përgjigje konkrete kur u pyet rreth aktakuzës të ngritur ndaj Stankoviqit dhe 14 të tjerëve për krime lufte në fshatin Mejë, komuna e Gjakovës
“A keni kërkuar ndonjëherë në ndonjë lloj takimi me Vuçiq që ose t’i dorëzojë ata 15 të akuzuar nëgjykatat e Kosovës, ose të nisë një gjyq në Beograd? Sepse Serbia ka bërë në disa raste gjyqe ndaj të akuzuarve dhe madje ka dënuar disa individë për krimet e luftës që ndodhën gjatë luftërave dyvjeçare në vetë Kosovën”, ishte pyetje e Krasniqit drejtuar zëdhënësit të BE-së..
“Po, faleminderit për pyetjen tuaj. Ne do ta shqyrtojmë këtë dhe do t’ju kthejmë përgjigje”, tha Wigand.