Një person është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës, si i dyshuar për disa raste të vjedhjeve të rënda në Ferizaj dhe fshatrat përreth.
Sipas njoftimit të policisë, Njësia e Hetimeve e stacionit policor në Ferizaj ka zhvilluar hetime gjatë periudhës nëntor 2025 – prill 2026, lidhur me disa raste të veprës penale “Vjedhja e rëndë”, të ndodhura në qytetin e Ferizajt dhe në fshatrat Sojevë, Babush, Dardani, Fshati i Vjetër dhe Komogllavë.
“Vjedhjet janë kryer kryesisht në objekte afariste (dyqane dhe fabrika), ku janë përvetësuar para dhe sende me vlerë”, thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se i dyshuari, S.T., 35 vjeç, është identifikuar pas analizimit të kamerave të sigurisë dhe mbledhjes së informacioneve në terren.
“Gjatë veprimeve hetimore, përfshirë analizimin e kamerave të sigurisë dhe mbledhjen e informacioneve në terren, i dyshuar ishte S.T., i cili është identifikuar përmes karakteristikave fizike, pavarësisht përpjekjeve për t’u maskuar”, thekson policia.
Më 25 prill 2026, me urdhër të Gjykatës Themelore në Ferizaj, është realizuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku janë gjetur prova materiale.
“Janë gjetur prova materiale, përfshirë veshje dhe mjete të përdorura në kryerjen e veprave”, thuhet më tej.
I dyshuari është arrestuar dhe intervistuar në prani të avokatit, ndërsa ka shfrytëzuar të drejtën për të heshtur.
Me autorizim të prokurorit të shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Vjedhja e rëndë” dhe është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore.