Vehbi Miftari ka konfirmuar se është liruar nga detyra e shefit të Misionit të Kosovës në Vatikan, duke bërë të ditur se ka pranuar dekretin përkatës nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
Në një njoftim në Facebook, Miftari theksoi se ky vendim shënon përfundimin e mandatit të tij në Selinë e Shenjtë, por jo edhe angazhimin e tij për Republikën e Kosovës. Ai e cilësoi këtë detyrë si një nder jetësor, duke qenë shefi i parë i këtij misioni diplomatik në Vatikan, dhe shtoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë tashmë janë konsoliduar.
“Ky dekret shënon përfundimin e mandatit tim në Vatikan. Sigurisht, jo angazhimin tim për Republikën, së cilës i kam shërbyer çdo herë me përkushtim, pa kërkuar kurrë shpagim. Ka qenë nderi jetësor që më është bërë, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan”, shkruan ai.
Miftari falënderoi gjithashtu Vjosa Osmani për besimin e dhënë, si dhe institucionet e Selisë së Shenjtë për bashkëpunimin dhe mikpritjen.
“Kanë qenë dy vjet plot angazhim e sfida të njëpasnjëshme, ndonjëherë të pakuptimta, me më shumë a më pak përkrahje, por të bukura e frytdhënëse, gjithsesi”.
Presidentja Osmani e kishte emëruar Miftarin para dy vitesh ambasador në Misionin e Posaçëm të Kosovës në Vatikan. Që nga 1 shkurti i atij viti, ai kishte udhëhequr misionin e sapothemeluar, pasi kishte lënë pozitën e këshilltarit politik të presidentes.
Ai u shpreh se është i gatshëm të ndihmojë në procesin e dorëzimit të detyrës tek pasardhësi apo pasardhësja e tij, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të ndërtuara me përkushtim gjatë mandatit të tij.
“Tani kur po përgatitem t’ia dorëzoj detyrën pasardhësit a pasardhëses sime, ofroj gjithë gatishmërinë time që, në përputhje me dinjitetin tim e me lartësinë e pozitës që kam mbajtur, të siguroj që vendimet tona të mos lëndojnë raportet e krijuara me aq mund”.