Kryetari i Gjakovës, nga radhët e AAK-së Ardian Gjini, ka thënë se është propozuar për kandidat për kryeministër dhe bartës të listës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, derisa ka bërë të ditur se vendimi përfundimtar pritet të merret nga Këshilli Drejtues i partisë, raporton Ekonomia Online.
“Subjektet politike kanë qenë në dakordancë pothuajse të plotë që, datat të sillen me qe te jetë 7 qershori. Edhe ne jemi pajtu edhe pse nuk kemi pasur ndonjë preferencë të posaçme për datat, me thënë të drejtën, mirëpo po duket që ka qenë pothuajse konsensus i plotë që të jetë data 7 qershori”, tha ai.
Ai ka folur edhe për datën e mundshme të zgjedhjeve, duke theksuar se ekziston një pajtueshmëri e gjerë mes subjekteve politike për 7 qershorin.
“Kështu që, zgjedhjet janë një shans, po që pak kush i ka dashtë tash, po zgjedhjet janë një shans, një shans për vendin. Edhe ne po bëhemi gati me ia dhanë Kosovës atë që i duhet, me ia dhanë një stabilitet, me ia dhanë një rrugë të zhvillimit. Edhe po besoj që populli i Kosovës duhet me e shfrytëzu këtë shans për zgjedhje, sipas të gjitha gjasave, të datës 7 qershor”, tha ai.
Gjini e ka cilësuar procesin zgjedhor si një mundësi për vendin, ndonëse sipas tij, jo e dëshiruar nga shumëkush në këtë moment.
“Vendimet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës i merr Këshilli Drejtues. Unë jam i propozuar për kandidat për kryeministër dhe për bartës të listës, po duhet me prit vendimin e Këshillit Drejtues po besoj që kemi me vendos shumë shpejt. Shikoni, unë këtu jam fiks mbas 12 viteve po ashtu me thënë të drejtën. Aleanca është tu u bë gati për një betejë. Ajo betejë nuk ka të bëjë me pranga ose me kurrgjë tjetër, ajo betejë ka të bëjë me ja dhënë Kosovës një qeveri normale. Një qeveri që i ka fjalët e buta e punët serioze, të sakta. Deri tash kemi parë fjalë shumë të forta e punë hiç. Kosova e ka shansin edhe një herë edhe ne po përgatitemi me i dhënë shansin Kosovës. Të gjithë po përgatitemi me i dhënë Kosovës shans të jashtëzakonshëm”, tha ai..
