Haxhiu: 7 qershori u zgjodh për t’i dhënë më shumë kohë KQZ-së dhe pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje

Prishtinë | 30 Pri 2026 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media tregoi pse është zgjedhur 7 qershori si datë për zgjedhje, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu tha se kjo datë i konvenon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Së pari, qëllimisht unë kam pritur fillimisht në takim kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe është e natyrshme që KQZ-së i duhet sa më shumë kohë në mënyrë që ta organizojë sa më mirë këtë proces. Pra, natyrisht që KQZ-së nuk i përket të theksojë datën, të vendosë ose të propozojë data – nuk është kjo në kuadër të përgjegjësive të tyre por kur e kam takuar kryesuesin, zotin Radoniqi, ka thënë: ‘Sa më shumë kohë për Komisionin Qendror, aq më mirë’”, u shpreh Haxhiu.

Ajo gjithashtu tha se partitë politike në takimin e sotëm e përkrahën këtë datë.

“Dhe duke pasur parasysh që në takimin që sot unë pata, ishin pothuajse 80% e partive politike me kërkesën që 7 qershori është datë e përshtatshme për zgjedhje, vlerësova që është mirë që ta caktoj datën 7 qershor. Edhe sepse sa më shumë qytetarë, është e rëndësishme që të marrin pjesë në zgjedhje. Dhe tani kur jemi te procedurat, në zgjedhjet e jashtëzakonshme apo të parakohshme gjithmonë ato shkurtohen nëse i krahasojmë me zgjedhjet e rregullta. Prandaj, në këtë drejtim, sa më shumë kohë që ka Komisioni Qendror, aq më shumë qytetarët e Republikës së Kosovës, edhe mërgata jonë, mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre. Prandaj këto janë arsyet”, tha ajo.

Të ngjashme