Hashani nis detyrën me fokus te prodhimi i qymyrit: DPQ kyç për stabilitetin energjetik të Kosovës

Prishtinë | 04 Maj 2026 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Kryeshefi Ekzekutiv i KEK sh.a., Gramos Hashani, ka zhvilluar takimin e tij të parë pas emërimit në këtë detyrë me menaxhmentin dhe stafin e Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ), duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij segmenti për stabilitetin energjetik të vendit.

Me theks të veçantë në rolin kritik të minierës, si burimi themelor i furnizimit me lëndë të parë për prodhimin e energjisë elektrike, u nënvizua se performanca e DPQ-së lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe qëndrueshmërinë e të gjithë sistemit energjetik të Kosovës.

Në këtë kuadër, Kryeshefi Ekzekutiv kërkoi rritje të vazhdueshme të efikasitetit operacional, forcim të standardeve të sigurisë dhe një qasje të qëndrueshme drejt zhvillimit, duke i konsideruar këto si prioritete thelbësore për funksionimin stabil dhe afatgjatë të korporatës.

Ai shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të plotë dhe mbështetje institucionale, duke kërkuar njëkohësisht angazhim maksimal, disiplinë profesionale dhe përgjegjësi nga çdo nivel organizativ, në funksion të arritjes së objektivave strategjike.

Ky takim shënon nisjen e një qasjeje të përqendruar në rezultate konkrete, llogaridhënie dhe rritje të qëndrueshme të kapaciteteve prodhuese.

Të ngjashme