KQZ përcakton 48 përfaqësi diplomatike për votimin jashtë vendit

Prishtinë | 05 Maj 2026 | 14:35 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e sotme, miratoi listën e qendrave të votimit në përfaqësitë diplomatike dhe caktoi numrin maksimal të votuesve për votimin fizik jashtë vendit më 6 qershor, raporton Ekonomia Online.

Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit planifikohet të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike, me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 në ambasada dhe 15 në konsullata. Ndërkaq, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto qendra votimi është 66,450.

Kufizimi i numrit maksimal të votuesve vlen vetëm për votimin në përfaqësitë diplomatike, ndërsa numri i votuesve që mund të regjistrohen për votim përmes postës është i pakufizuar. Në rast të arritjes së numrit maksimal në përfaqësitë diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesit do të udhëzohen të regjistrohen për mënyra të tjera votimi përmes postës.

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, shpjegoi procesin e votimit:

“Qendrat e votimit jashtë vendit i kemi shqyrtuar në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme, duke vlerësuar edhe aspektet teknike të shfrytëzimit të hapësirave diplomatike si qendra votimi më 6 qershor, pasi votimi zhvillohet një ditë para ditës së zgjedhjeve. Sipas përmbledhjes, numri i qendrave të votimit jashtë Kosovës do të jetë 48, numri i vendvotimeve 70, ndërsa numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen është 66,450”, tha Krasniqi.

Të ngjashme