Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkruar për gjendjen e mediave në vend, duke akuzuar pushtetin aktual se po synon të ngulfasë lirinë e shtypit.
Përmes profilit të tij në Facebook, Haradinaj ka theksuar se liria e mediave është themel i demokracisë dhe nuk duhet të trajtohet si privilegj, por si e drejtë e patjetërsueshme e shoqërisë.
“Liria e shtypit nuk është privilegj i mediave, por është themel i demokracisë. Ajo është zëri që mban përgjegjës pushtetin dhe pasqyra që i tregon shoqërisë të vërtetën”, ka deklaruar ai.
Ai ka kritikuar gjuhën e përdorur nga përfaqësuesit e pushtetit ndaj mediave, duke thënë se krijimi i një klime ofenduese nuk i shërben as demokracisë dhe as besimit të qytetarëve.
“Një kryeministër që sulmon median, në thelb sulmon një nga shtyllat kryesore të shtetit demokratik”, ka shtuar Haradinaj.
Në reagimin e tij, ai ka kërkuar respekt të barabartë për gazetarët, duke theksuar se ata nuk duhet të trajtohen si kundërshtarë, por si partnerë në ndërtimin e një shoqërie transparente.
Haradinaj ka vlerësuar gjithashtu punën e gazetarëve, kameramanëve dhe ekipeve teknike, duke nënvizuar përkushtimin e tyre në kushte shpesh të vështira për të informuar publikun.
Ai ka theksuar se, në qasjen e tij, do të ketë transparencë dhe bashkëpunim me mediat, pa shmangie nga pyetjet dhe pa gjuhë përçmuese.
“Përgjegjësia jonë nuk është të zgjedhim pyetjet, por japim përgjigje”, është shprehur ai.
Në fund, Haradinaj ka theksuar se një shoqëri pa media të lirë është një shoqëri pa zë, duke shtuar se beson në një Kosovë ku zëri i së vërtetës nuk ndalet kurrë.