Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mohuar se ekziston ndonjë marrëveshje për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Ai tha pas mbledhjes së Kryesisë tha se çdo bashkëpunim eventual në nivel lokal është kompetencë e kryetarëve të komunave dhe jo e partive në nivel qendror.
“Shihni, kryetarët e komunave kanë të drejtën e tyre, bëjnë marrëveshje për shumicën që ata e konsiderojnë. Po nuk mund të them që ne kemi marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës. Pra mund t’ju gënjej po s’kemi. Po ta kemi një marrëveshje të tillë ma tregoni pra”, tha ai. Ai shtoi se kjo çështje është komunikuar edhe publikisht nga LDK-ja, duke mohuar çdo pretendim për një marrëveshje të tillë politike. “LDK-ja nuk ka bërë marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës. E kam komunikuar edhe me zëdhënësin këtë çështje, i kemi thënë a kemi marrëveshje, thamë jo s’kemi marrëveshje në rregull, meqenëse s’kemi marrëveshje me LDK dhe PDK nuk duhet të qartësoj për publikun sepse mediat po pyesin që ka marrëveshje të tillë, se ne s’kemi. Pra ato janë marrëveshje të kryetarit të komunës me parti tjera politike, por LDK-ja me PDK nuk ka një marrëveshje të tillë”, tha ai.
Sipas tij, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka autonominë për të bërë marrëveshje në nivel lokal, ndërsa LDK-ja mbetet e përkushtuar në realizimin e programit të saj në kryeqytet.
“Përparim Rama ka qenë kandidat i pavarur brenda listës së LDK-së, ai vazhdon të jetë kryetar i komunës dhe LDK-ja në çdo forcë të veten, aq sa mundet, dhe aq sa i krijohet hapësirë, do të kontribuojë në realizimin e programit fitues të LDK-së në Prishtinë. Mos harroni, ne kemi marrë mbështetje qytetare për këtë punë, jemi të interesuar të ndihmojmë Prishtinën. Por në qoftë se ju më pyesni a kemi marrëveshje me PDK, nuk ka një marrëveshje të tillë dhe s’ka pasur diskutime për bashkëqeverisje me PDK-në. Pra janë marrëveshja të kryetarëve të komunës me parti, me parti tjera, që i bëjnë të tjerët. Por LDK-ja nuk ka një marrëveshje të tillë”, tha ai.

