Delegacioni i Policisë së Kosovës zhvillon vizitë zyrtare në Turqi, diskutohet për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve

Prishtinë | 06 Maj 2026 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të një vizite zyrtare në Republikën e Turqisë, Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Fehmi Hoti, u prit nga Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare Turke, Kolonel Mustafa Çalışkan.

Vizita u realizua në kuadër të një delegacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, të kryesuar nga zëvendës drejtori i përgjithshëm. Gjatë takimit u diskutuan çështjet e bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet dy organizatave policore, me theks të veçantë në bashkërendimin e aktiviteteve bilaterale.

Palët vlerësuan lart bashkëpunimin ekzistues, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informatave, zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfshirjen në iniciativa të përbashkëta ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda, migrimit ilegal dhe terrorizmit.

Gjithashtu, u trajtuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve profesionale, përfshirë zhvillimin e burimeve njerëzore, avancimin e kapaciteteve teknike dhe teknologjike.

Të dy palët u dakorduan për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe intensifikimin e kontakteve në funksion të rritjes së sigurisë dhe stabilitetit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në fuqizimin e partneriteteve strategjike dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Të ngjashme