BSPK pjesë e Seminarit Trepalësh Evropian për Inteligjencën Artificiale, Digjitalizimin dhe Dialogun Social

Prishtinë | 06 Maj 2026 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës njofton opinionin publik se është përzgjedhur ndër dhjetë organizatat pjesëmarrëse nga vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në kuadër të Seminarit Trepalësh të Shkëmbimit 2026, organizuar nga Eurofound, Cedefop, Agjencia Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë (EU-OSHA) dhe Fondacioni Evropian për Trajnime (ETF).

Seminari do të mbahet në Bruksel më 10–12 qershor 2026, në ambientet e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian, dhe do të trajtojë rolin e dialogut social në proceset e transformimit digjital dhe të inteligjencës artificiale në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në vendet kandidate.

Në kuadër të përgatitjeve për këtë ngjarje të rëndësisë së veçantë, Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, zhvilloi takim pune me ekspertin për zhvillimin e kapitalit njerëzor nga Fondacioni Evropian për Trajnime, Matthias Themel. Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e përfshirjes aktive të partnerëve socialë në proceset e tranzicionit digjital, për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në kushtet e ndryshimeve teknologjike dhe për nevojën e fuqizimit të dialogut social në përputhje me standardet evropiane.

Pjesëmarrja e BSPK-së në këtë seminar përfaqëson një vlerësim të rolit dhe angazhimit të saj në promovimin e të drejtave të punëtorëve, të sigurisë dhe shëndetit në punë, të dinjitetit në marrëdhëniet e punës dhe të përfshirjes aktive të sindikatave në proceset vendimmarrëse që lidhen me transformimet ekonomike dhe teknologjike.

BSPK konsideron se inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi duhet të zhvillohen në funksion të njeriut dhe të mirëqenies së punëtorëve, e jo në dëm të sigurisë sociale, të drejtave në punë dhe barazisë sociale. Për këtë arsye, roli i dialogut social dhe i organizimit sindikal mbetet i pazëvendësueshëm në ndërtimin e politikave të qëndrueshme dhe demokratike të punës.

Në një kohë kur tregu i punës po përballet me transformime të mëdha në nivel evropian dhe global, BSPK do të vazhdojë të përfaqësojë me përgjegjësi interesat e punëtorëve të Kosovës dhe të kontribuojë në afrimin e praktikave të vendit me standardet sociale dhe demokratike të Bashkimit Evropian.

Të ngjashme