Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, së bashku me përfaqësues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), kanë vizituar sot pikat kufitare në Merdarë dhe Hani i Elezit, për të monitoruar zbatimin e kontrolleve fitosanitare dhe veterinare, si dhe masat për mbrojtjen e tregut të qumështit dhe produkteve të tjera ushqimore.
Sipas komunikatës së ministrisë, gjatë vizitës ministri Muja është njoftuar me ecurinë e zbatimit të masave të reja, të cilat përfshijnë vendosjen e akcizës për qumështin pluhur dhe produktet që përmbajnë vaj palme, si dhe forcimin e kontrolleve për produktet e qumështit, ushqimet dhe kafshët që hyjnë në Kosovë.
Po ashtu, është bërë e ditur se të gjitha produktet e qumështit, produktet ushqimore dhe kafshët që importohen po i nënshtrohen kontrolleve të shtuara dhe analizave laboratorike nga AUV-ja, me qëllim të verifikimit të përbërjes, respektimit të standardeve dhe garantimit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore.
Ministri Muja theksoi se zbatimi rigoroz i këtyre masave është i domosdoshëm për mbrojtjen e tregut vendor dhe krijimin e kushteve të barabarta për prodhuesit lokalë.
“Këto masa janë të domosdoshme dhe janë në interes të mbrojtjes së konsumatorit, garantimit të cilësisë dhe mbështetjes së prodhuesve vendorë dhe ekonomive familjare”, ka deklaruar Muja.
Ai shtoi se kontrollet e shtuara do të vazhdojnë në të gjitha pikat hyrëse, në mënyrë që çdo produkt që hyn në tregun vendor të jetë në përputhje me standardet e përcaktuara.
Muja gjithashtu vlerësoi angazhimin e AUV-së dhe institucioneve të tjera relevante në zbatimin e këtyre masave, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e zbatimit të plotë të vendimeve.